Protesta e studentëve kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama hyn sot në ditën e 15-të radhazi, ndërsa të rinjtë nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre dhe paralajmërojnë vijimin e tubimeve deri në dorëheqjen e kreut të qeverisë. Studentët pritet të mblidhen këtë të martë, në orën 10:00, përpara Ministrisë së Arsimit, ku do të vijojnë protestën që prej dy javësh ka përfshirë kryeqytetin.
Në mbështetje të tyre janë bashkuar edhe pedagogët e universiteteve publike, të cilët kanë bojkotuar auditorët dhe kanë vendosur të qëndrojnë në krah të studentëve. Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë ka shpallur bojkotin e mësimdhënies që prej 21 tetorit, duke njoftuar se ai do të vijojë deri në një vendim të dytë.
Protesta, e cila nisi më 13 tetor me kërkesa që lidheshin me kushtet e studimit, tarifat universitare dhe mundësitë për të ardhmen e të rinjve, është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë. Pas përplasjeve me Policinë e Shtetit dhe reagimeve të kryeministrit Rama, studentët kanë vendosur në qendër të protestës kërkesën për largimin e tij nga pushteti.
Gjatë dy javëve të fundit, tubimet janë shoqëruar me tensione, përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, si dhe me të plagosur e të shoqëruar në polici. Ndërhyrjet e policisë kanë shkaktuar reagime të forta nga studentët, pedagogët dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë kërkuar hetimin e rasteve të pretenduara të përdorimit të tepruar të forcës.
Përfshirja e pedagogëve i ka dhënë një tjetër dimension protestës. Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë ka deklaruar se bojkoti nuk është braktisje e procesit mësimor, por një formë solidariteti me studentët dhe një reagim ndaj mënyrës se si janë trajtuar protestuesit.
Në vendimin e saj, sindikata kërkon ndalimin e dhunës ndaj studentëve, hetim të pavarur dhe transparent të ndërhyrjeve policore që prej 13 tetorit, trajtim dinjitoz të të rinjve të shoqëruar në polici, si dhe plotësimin e kërkesave të studentëve.
Kreu i Sindikatës së Universiteteve, Aleksandër Kovaçi, ka konfirmuar se pedagogët do të vijojnë të qëndrojnë në krah të të rinjve, duke mbështetur organizimin e tyre dhe kërkesat që kanë ngritur.
Ndërkohë, studentët kanë refuzuar ftesat e kryeministrit Edi Rama për dialog, duke këmbëngulur se kërkesat e tyre nuk mund të zgjidhen përmes takimeve që, sipas tyre, nuk ofrojnë garanci për ndryshime konkrete.
Protestës studentore i janë bashkuar gjatë ditëve të fundit edhe përfaqësues të sindikatave të tjera të arsimit, ndërsa mbështetje është shprehur edhe nga studentë të Mjekësisë dhe profesionistë të sektorëve të ndryshëm.
Pavarësisht tensioneve dhe përplasjeve të regjistruara gjatë ditëve të mëparshme, studentët kanë paralajmëruar se nuk do të tërhiqen nga protesta. Ata kërkojnë përgjegjësi për dhunën e pretenduar ndaj të rinjve, ndryshime në sistemin arsimor dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.

