Një tragjedi është regjistruar në brigjet e Gabonit, ku një platformë gjigante shpimi nafte është fundosur në oqean me 115 persona në bord. Sipas bilancit paraprak, një person ka humbur jetën, katër të tjerë rezultojnë të zhdukur, ndërsa 110 punonjës janë shpëtuar. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentet dramatike kur platforma e shpimit “Prospector 5” anohet në mënyrë të rrezikshme dhe nis të zhytet ngadalë nën sipërfaqen e ujit.
Në video shihen punonjës të pajisur me jelekë shpëtimi, të cilët lëvizin me nxitim nëpër kuvertë, ndërsa të tjerë qëndrojnë të palëvizshëm përballë situatës së rrezikshme. Ndërkohë, varkat e shpëtimit largohen nga platforma që po fundoset. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, ndërsa platforma “Prospector 5”, në pronësi të kompanisë Borr Drilling, po kryente operacione përgatitore për nisjen e shpimeve në det të hapur. Sipas kompanisë, gjatë operacioneve të ngarkimit paraprak ndodhi një incident teknik, i cili shkaktoi humbjen e stabilitetit të platformës dhe më pas fundosjen e saj.
Dyshohet se një nga këmbët mbështetëse të platformës ka depërtuar në shtresat e buta të sedimentit nën shtratin e detit, duke shkaktuar një zhvendosje të papritur dhe humbjen e ekuilibrit të strukturës. Platforma ishte kontraktuar për të mbështetur operacionet e shpimit të kompanisë BW Energy në ujërat e Gabonit, ndërsa më parë kishte operuar edhe në Detin e Veriut, pranë brigjeve të Skocisë. Pas incidentit, ekipet e emergjencës nisën operacionet e kërkim-shpëtimit, duke arritur të shpëtojnë 110 persona. Kërkimet vijojnë për gjetjen e katër punonjësve që rezultojnë ende të zhdukur.
Offshore drilling rig in Gabon sinking as one of the supporting legs punched through the seabed.
110 of 115 people accounted for.
$208 million gone. https://t.co/BVdf4YNVxz— bu/ac (@buperac) October 26, 2026
Ndërkohë, Ministria e Naftës dhe Gazit Natyror e Gabonit ka njoftuar nisjen e një hetimi teknik për të përcaktuar shkaqet e sakta të fundosjes. Kompania Panoro Energy bëri të ditur se prodhimi është ndërprerë pas incidentit, ndërsa deri më tani nuk janë raportuar rrjedhje nafte apo dëme të tjera mjedisore. Autoritetet e Gabonit konfirmuan se nuk janë konstatuar substanca të rrezikshme që të kenë përfunduar në ujërat e oqeanit. Megjithatë, pajisjet për përballimin e ndotjes detare janë vendosur në gatishmëri, me qëllim mbrojtjen e vijës bregdetare dhe Parkut Kombëtar Mayumba, që ndodhet pranë zonës së incidentit.
Platforma “Prospector 5” është ndërtuar në Shangai në vitin 2014 dhe ishte projektuar për të operuar në thellësi ujore mbi 120 metra. Autoritetet po vijojnë hetimet, ndërsa operacionet për gjetjen e personave të zhdukur mbeten prioritet.
