Shkrimtari i njohur dhe politikani Ben Blushi vjen me romanin e tij të ri, “Historitë e çmendura të Tiranës 1600–2000”, një rrëfim që sjell në vëmendje historinë e kryeqytetit përgjatë katër shekujve.
Përmes këtij botimi, Blushi ndalet te ngjarjet dhe transformimet që kanë shoqëruar Tiranën ndër vite, përfshirë djegiet dhe shkatërrimet që ajo ka përjetuar, por edhe ringritjen e saj të vazhdueshme. Sipas autorit, pavarësisht vështirësive, Tirana është ringritur çdo herë, duke u bërë më e bukur dhe më vitale.
Blushi njofton se libri do të jetë në çdo librari duke nisur nga data 3 nëntor.
Postimi i plotë:
HISTORITË E CMENDURA TË TIRANËS, ROMANI IM I RI
Historitē e Çmendura të Tiranës është romani im i ri që sot shkoi në shtypshkronjën Onufri.
Ky roman u shkrua nga keqardhja për qytetin ku kam lindur. Për Tiranën ka më pak libra se për çdo kryeqytet tjetër evropian.
Historitë e Çmendura të Tiranës tregon luftërat, pushtimet, ndërtimet dhe intrigat që i bënë njeri-tjetrit qindra pashallarë, bejlerë, aventurierë, ushtarakë, shkrimtarë, poetë, mbretër dhe perandorë për të kontrolluar qytetin nga viti 1600 deri nē vitin 2000.
Kushdo që do lexojë këtë histori të shtrirë në 400 vjet do kuptojë se Tirana është djegur disa herë sic po ndodh dhe sot dhe gjithmonë është ringritur më e bukur dhe më vitale.
Është një koincidencë fatale, aspak e planifikuar që libri botohet pikërisht këto ditë kur qyteti po vuan.
Duke nisur nga data 3 nëntor Historitë e Çmendura të Tiranës do jetë në çdo librari.
