Ish-drejtuesi i Policisë, Mit’hat Havari, ka reaguar ashpër për protestat e studentëve, duke u dërguar një mesazh të fortë të rinjve që prej ditësh janë përballur me forcat e policisë, në kërkim të largimit të kryeministrit Edi Rama.

Në mesazhin e tij, Havari e cilëson Ramën si diktator dhe shpreh mbështetjen për vajzat dhe djemtë që marrin pjesë në protesta. Ai i quan vajzat “heroina” dhe “Shqiponja”, ndërsa djemtë i vlerëson për qëndresën e tyre përballë policisë.

Kritikat më të forta, ish-drejtuesi i Policisë i adreson ndaj uniformave blu, të cilat, sipas tij, nuk po veprojnë më si Policia e Shtetit, por janë shndërruar në një “juntë” që zbaton urdhrat për të mbrojtur kryeministrin.

“Përballë bishës komuniste dhe përballë diktatorit në fuqi, ai s’është kryeministër. Ai është diktator”, shprehet Havari, duke vlerësuar qëndrimin e vajzave që janë përballur me forcat e policisë gjatë protestave.

Ai denoncon gjithashtu dhunën e ushtruar ndaj protestuesve, duke përmendur të rinj të plagosur nga goditjet me shkopinj gome dhe përdorimi i plumbave prej kauçuku. Havari përmend edhe rastin e Erionit, i cili u godit në sy.

Ish-drejtuesi i Policisë u bën thirrje studentëve dhe të rinjve të mos tërhiqen përballë presionit dhe kërcënimeve, duke theksuar se vëmendja është përqendruar te zhvillimet në Shqipëri. Ai u kërkon gjithashtu të mbajnë larg protestave partitë politike dhe të marrin vetë vendimet për të ardhmen e lëvizjes së tyre.

Në fund të mesazhit, Havari bën një paralelizëm me zhvillimet politike në Serbi dhe përmendi presidentin serb Aleksandar Vuçiç, duke theksuar se pas tij, radhën e ka kryeministri shqiptar Edi Rama.

“Studentët e filluan betejën. Me Serbinë e korruptuar nga diktatori Vuçiç që e qëruan nga skena politike. Tani e ka radhën ky bastardi i Shqipërisë. Ju duhet të jeni prezent. Sy e vesh janë te ju”, deklaron Havari.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb