Analisti Fatos Lubonja ka kritikuar ashpër klasën politike shqiptare, duke deklaruar se vendi ka nevojë për reflektim, bashkim dhe krijimin e alternativave të reja politike, përtej partive tradicionale. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me moderatoren Ola Bruko, Lubonja u shpreh se shqiptarët duhet t’i japin mundësinë një force të re politike, ndërsa kritikoi Partinë Demokratike për përgjegjësinë që, sipas tij, ka pasur në krijimin e kushteve që mundësuan ardhjen dhe qëndrimin e Edi Ramës në pushtet.
Analisti theksoi se problemi i Shqipërisë nuk kufizohet vetëm te kryeministri, por lidhet me një sistem të tërë politik dhe shoqëror që, sipas tij, e mban atë në pushtet.
Duke bërë një krahasim me Serbinë pas rënies së komunizmit, Lubonja tha se Shqipëria nuk arriti të shkëputej nga trashëgimia e Partisë së Punës, ndërsa drejtuesit politikë vijojnë të dominojnë skenën për dekada. Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si qytetarët votojnë, duke pretenduar se besnikëria ndaj partive tradicionale vazhdon të mbizotërojë edhe përballë akuzave për korrupsion dhe premtimeve të pambajtura.
“Duhet refleksion dhe bashkim nga shqiptarët. Shoh të përbashkëta, por edhe diferenca. Kur ra komunizmi, kur dolën parti të reja në Serbi, aty u krijuan disa parti, ne ngelëm te Partia e Punës, që duhej zhdukur dhe duhej të kishte lindur diçka tjetër. Lindi edhe PD-ja, që lindi nga komunistë. Ne na ngeli Partia e Punës. Ne i mbajmë liderët nga 40-50 vite. Ka njerëz që mendojnë se duhet të lindë një forcë e re. Populli shqiptar duhej t’ia jepte mundësinë një force të re, por ka një hendek të madh nga realiteti.
Po të ishte normal ky popull, nuk ia jepte votën Edi Ramës. Edhe kur thotë ‘zero ndërtime në Tiranë’ dhe kur e kthen në gradaçela. Ky ka bërë korrupsionin e vet, i ka blerë, por është kjo mendësi se ‘jam komunist’. Po kjo logjikë mund të funksionojë edhe për PD-në. E kam thënë disa herë, por PD-ja duhet të reflektojë për përgjegjësitë që ka, se përgatiti terrenin për Ramën. A do bëjmë ndonjë ndryshim apo jo? Se duket sikur është vetëm Rama. Nuk është vetëm Rama, por ky sistem që mban Ramën. Se Rama pa këtë popull, do ishte në spital psikiatrik sot.”
