Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim me homologët grekë, duke arrestuar në Greqi dy persona të shpallur në kërkim për vrasjen e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, ngjarje e ndodhur më 7 maj 2026, në fshatin Gjashtë të Sarandës. Në pranga janë vënë përkohësisht, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, Lulëzim Tabaku, 37 vjeç, i dyshuar si autor i vrasjes, si dhe Idriz Çelo, 40 vjeç, i dyshuar për përfshirje në konfliktin me sende të forta që i parapriu krimit.

Sipas Policisë, arrestimet u kryen në kuadër të bashkëpunimit informativ dhe operacional mes Drejtorisë së Interpolit në Tiranë dhe Interpol Athinës. Nga hetimet dyshohet se më 7 maj, Lulëzim Tabaku ka vrarë me armë zjarri, pistoletë, 66-vjeçarin Rexhep Ismaili, në ambientet e lokalit të këtij të fundit, në fshatin Gjashtë të Sarandës. Ngjarjes i ka paraprirë një konflikt me sende të forta mes disa personave, ku dyshohet se ishte i përfshirë edhe Idriz Çelo, i arrestuar në ishullin e Korfuzit.

Për Lulëzim Tabakun, Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”, kryer në bashkëpunim.

Ndërsa për Idriz Çelon, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Moskallëzimi i krimit”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”. Sipas njoftimit të Policisë, Idriz Çelo përdorte identitet të rremë gjatë qëndrimit në ishullin e Korfuzit. Ndërkohë, autoritetet vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim për këtë ngjarje. Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët grekë, po punon për përfundimin e procedurave për ekstradimin e dy të ndaluarve në Shqipëri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: