“Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Rama jep dorëheqjen” dhe “Revolucion” janë disa nga thirrjet që po jehojnë në protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit.
Të rinjtë kanë mbushur rrugën e Durrësit, duke vijuar tubimin e tyre në kuadër të lëvizjes studentore që prej më shumë se dy javësh kundërshton qeverinë dhe kërkon ndryshime.
Me thirrjen “Studentët kërkojnë revolucion”, protestuesit po përsërisin kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa zërat e tyre dëgjohen përgjatë gjithë zonës ku po zhvillohet protesta.
Studentët vijojnë bojkotin e mësimit dhe kërkojnë që kërkesat e tyre të marrin përgjigje, ndërsa në mbështetje të tyre janë bashkuar edhe pedagogë.
