Anija luksoze e kroçerave Villa Vie Odyssey ka pezulluar udhëtimin e saj shumëvjeçar rreth botës për shkak të rritjes së jashtëzakonshme të çmimeve të karburantit, duke lënë rreth 200 pasagjerë të bllokuar në qytetin portual Sihanoukville të Kamboxhias.
Kompania amerikane Villa Vie Residences njoftoi se po bashkëpunon me pasagjerët për organizimin e largimit nga anija dhe sigurimin e akomodimit të përkohshëm. Sipas operatorit, kostoja mujore e karburantit për kabinë në disa zona të Azisë është rritur deri në 8 mijë dollarë, nga 1,800 dollarë më parë.
Anija, e cila u nis nga Belfasti në tetor 2024, synonte të përshkonte afro 150 vende gjatë një udhëtimi prej tre vjetësh e gjysmë. Megjithatë, ngadalësimi i lundrimit dhe qëndrimi më i gjatë në porte nuk arritën të kompensonin rritjen e kostove.
Kompania bëri të ditur se do të kalojë 60 ditët e ardhshme duke shqyrtuar mundësitë për ristrukturim financiar dhe sigurimin e kapitalit të ri, duke paralajmëruar se nuk ka garanci për rezultatin.
Pasagjerët Lanette Canen dhe Johan Bodin thanë për BBC-në se u njoftuan në orën 06:00 të mëngjesit të së martës se duhej të largoheshin nga anija deri në orën 14:00. Ata shprehën zhgënjimin për ndërprerjen e udhëtimit të tyre, ndërsa treguan se pasagjerët po mbështesin njëri-tjetrin në këtë situatë të vështirë.
Ndërkohë, pasagjerja Holly Hennessey deklaroi se itinerari ishte shkurtuar ndjeshëm dhe se udhëtarëve u ishte kërkuar më herët të shqyrtonin mundësinë e pagesës së një tarife shtesë për karburantin.
Situata është veçanërisht e vështirë për shkak të largësisë së Sihanoukville nga aeroportet kryesore ndërkombëtare. Pezullimi vjen pas vështirësive të mëparshme të kompanisë, pasi nisja e anijes ishte vonuar për muaj të tërë për shkak të riparimeve.
