Profesori Lush Susaj, në një prononcim për News24 nga protesta e studentëve, ka deklaruar se do të vijojë të jetë pjesë e protestave, edhe nëse ato do të përballen me kundërprotesta. Ai ka akuzuar klasën politike për dëmtimin e vendit dhe cenimin e së ardhmes së të rinjve, ndërsa u ka bërë thirrje pedagogëve që t’u bashkohen studentëve. Profesori kritikoi ashpër politikanët, duke thënë se ata po u marrin të rinjve mundësinë për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre.
Susaj nuk i kurseu kritikat as ndaj pedagogëve që nuk janë bërë pjesë e protestës, duke i cilësuar ata si frikacakë dhe duke i akuzuar se po qëndrojnë larg kauzës së studentëve. Ai u bëri thirrje gjithashtu studentëve që të mos tërhiqen përballë presioneve dhe shantazheve, duke kundërshtuar thirrjet për t’u kthyer në auditorë pa u plotësuar kërkesat e tyre.
“Unë do të mobilizohem edhe nëse ka një protestë brenda protestës. Jemi shumë afër fitores mbi diktaturën e ndyrë që po i merr frymën vendit. E shohin politikanët e fëlliqur se kujt ia shkelin të ardhmen. Këta e kanë masakruar këtë vend, ia kanë shkulur zemrën, por ia heqin të ardhmen. Profesorët që nuk dalin janë frikacakë. Ata që nuk dalin, të hanë sufllaqen e partisë, të shkojnë te partia, por këtu është rinia e Shqipërisë. Kjo rini po punon edhe për fëmijët e tyre.
Mos t’u bëjnë shantazh studentëve: ‘Hajdeni në mësim’. Mos të justifikohen horrat, por as dekanët dhe rektorët nuk po ju bëjnë presion, por e kanë lepurin në bark. Mos u shërbeni partive. Ditën që nuk do të kem dalë në protestë, hajdeni te varri, se ndoshta kam vdekur.”, tha ai.
