Një qytetar i pranishëm në protestën e studentëve, në një prononcim për News24, ka kundërshtuar ftesat e kryeministrit Edi Rama për dialog, duke deklaruar se nuk ka më hapësirë për bisedime me të. Ai e ka akuzuar kreun e qeverisë se ka thelluar përçarjen mes qytetarëve dhe policisë, ndërsa paralajmëroi se protestat do të vijojnë pavarësisht arrestimeve.

“Dialogun Rama ta shumëzojë 13 me zero. S’ka mundësi për dialog, as me rininë dhe as me njëri-tjetrin. Ai nuk i ka qejf dialogët, të bëjë monolog në ato podcastet e veta”, u shpreh qytetari.

Sipas tij, kryeministri duhet të shmangë nxitjen e urrejtjes, pasi, siç pretendon ai, pakënaqësia ndaj qeverisë është e madhe. “Ka një urrejtje të madhe nga populli për të. Ky na bëri armiq edhe me policët. Ata na shohin me inat, na shohin si armiq. Na bëri armiq me vendin tonë”, deklaroi protestuesi për News24.

Qytetari e krahasoi mënyrën e qeverisjes me një diktaturë, duke pretenduar se dhuna dhe arrestimet nuk do t’i ndalin qytetarët të dalin në protestë.

“Diktatura ka dhunë, dihet ajo punë. Diktatura ka armën, shkopin, dhunën. Ai arreston, por ne do të dalim”, tha ai.

Në përfundim, protestuesi përdori një metaforë për të shprehur kundërshtimin e tij ndaj kryeministrit, duke deklaruar se për Ramën nuk do të ketë “tym të bardhë”, por vetëm “tym të zi”. “Fundi i keq ka për të ardhur. Nuk do të ketë tym të bardhë për Ramën, vetëm tym të zi”, përfundoi qytetari.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: