Një zjarr në Laboratorin Kombëtar të Lumit Savannah, në Karolinën e Jugut, SHBA, shkaktoi një rrjedhje të materialit radioaktiv dhe aktivizoi protokollet e emergjencës në objektin bërthamor. Autoritetet shpallën të mërkurën gjendje të jashtëzakonshme të nivelit të dytë më të lartë, ndërsa vendosën kufizime në lëvizjen në zonën përreth. Sipas zyrtarëve, incidenti u regjistrua në një dhomë të laboratorit. Stacionit lokal televiziv WRDW iu konfirmua se kishte ndodhur një “rrjedhje radiologjike e pafiltruar në nivelin e tokës”. Megjithatë, autoritetet theksuan se nuk ishte zbuluar ndotje radioaktive jashtë objektit të prekur dhe se nuk kishte shenja të ndikimeve përtej kufijve të tij.

Zjarri u shua më vonë, ndërsa gjendja e jashtëzakonshme u hoq të mërkurën në mbrëmje. Deri tani, nuk janë bërë të ditura shkaqet e zjarrit, lloji dhe sasia e materialit të çliruar, apo nëse ka persona të lënduar. Sipas njoftimit zyrtar të kompleksit Savannah River Site, alarmi u shpall rreth orës 17:39, ndërsa hyrjet e objektit u mbyllën për automjetet që hynin. Për arsye sigurie, u kufizuan përkohësisht edhe lëvizjet hekurudhore, lumore dhe ajrore në zonën përreth. Disa punonjës u udhëzuan të qëndronin në vende të sigurta gjatë ndërhyrjes së ekipeve të emergjencës. Sipas agjencisë Reuters, një punonjës pësoi lëndime të lehta dhe u dërgua në spital. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur shkakun e zjarrit apo sasinë e materialit radioaktiv të çliruar.

Emergjenca u shpall e përfunduar në orën 21:45, pasi zjarri u shua dhe kontrollet radiologjike nuk zbuluan nivele të matshme ndotjeje. Autoritetet hoqën masat mbrojtëse dhe rihapën hyrjet e kompleksit. Laboratori Kombëtar i Lumit Savannah ndodhet brenda kompleksit Savannah River Site, një zonë me sipërfaqe rreth 803 kilometra katrorë, e krijuar në vitet 1950 gjatë Luftës së Ftohtë për prodhimin e materialeve që përdoreshin në armët bërthamore. Sot, aktivitetet e kompleksit përfshijnë kërkimin shkencor, menaxhimin e materialeve bërthamore dhe trajtimin e mbetjeve radioaktive.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb