Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka vizituar zonën ku ndodhi aksidenti tragjik hekurudhor, ku numri i viktimave ka shkuar në 69. Ai vlerësoi punën e ekipeve të shpëtimit dhe siguroi se qeveria po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Në një konferencë për mediat, Sánchez bëri të ditur se janë ngritur qendra ndihme në zonën e prekur, ku po ofrohet mbështetje psikologjike për familjarët e viktimave, të mbijetuarit dhe personat e tjerë të prekur nga ngjarja.

Ndërkohë, presidenti i rajonit të Castilla-La Mancha, Emiliano García-Page, u bëri thirrje qytetarëve të dhurojnë gjak në ditët në vijim për të ndihmuar të plagosurit që po trajtohen në spital. Ai shprehu ngushëllimet për viktimat dhe falënderoi të gjithë personat e angazhuar në operacionet e shpëtimit.

Më shumë se 900 efektivë të Gardës Civile janë angazhuar në operacionet pas aksidentit. Autoritetet bëjnë me dije se përparësi mbetet identifikimi i viktimave, ndërsa familjarëve të personave të zhdukur u është kërkuar të paraqiten në qendrat e posaçme për të dhënë mostra ADN-je.

Ndërkohë, mediat spanjolle kanë publikuar regjistrime audio të komunikimeve mes drejtuesve të dy trenave dhe qendrës së kontrollit në Madrid, para aksidentit. Në regjistrime dëgjohen biseda për probleme teknike, humbje të komunikimit me sistemin e kontrollit dhe udhëzime për rifillimin e udhëtimit.

Këto regjistrime mund të ndihmojnë në hetimin e shkaqeve të tragjedisë, por autoritetet ende nuk kanë dhënë një përfundim zyrtar mbi rrethanat e aksidentit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb