Një ditë pas transferimit të Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në burgun e sigurisë së lartë në Fier, në ambientet e institucionit ka mbërritur edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e shoqëruar nga foshnja e tyre. Më herët, në burg kishte shkuar edhe nëna e kryebashkiakut të Tiranës, Shqiponja Veliaj, për të takuar të birin.
Veliaj pretendon se nuk është njohur me aktin dhe bazën ligjore të transferimit, ndërsa ka ngritur shqetësime edhe për kushtet e qëndrimit në institucionin e ri. Deri më tani, arsyet konkrete të transferimit nuk janë bërë publike nga autoritetet përgjegjëse.
Foshnja që Ajola Xoxa kishte në krah gjatë vizitës në burgun e Fierit është djali i dytë i çiftit, i cili erdhi në jetë më 29 qershor 2026. Në atë kohë, Veliaj ndodhej në paraburgimin e Durrësit, ku qëndronte që prej arrestimit në shkurt të vitit 2025. Për lindjen e djalit, atij iu dha një leje e posaçme 48-orëshe për të takuar bashkëshorten dhe foshnjën në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë.
Çifti ka edhe një djalë tjetër, Kajanin, i cili ka lindur në tetor të vitit 2018.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), në kuadër të hetimeve për korrupsion dhe pastrim parash. Më pas, hetimet u përmbyllën dhe dosja u dërgua për gjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Sipas akuzave të ngritura nga SPAK, kryebashkiaku i Tiranës përballet me 13 akuza penale, mes tyre korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë, në nëntë raste, pastrimi i produkteve të veprës penale, mosdeklarimi i pasurisë, shpërdorimi i detyrës dhe akuza që lidhen me futjen e sendeve në institucionin e paraburgimit.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, dyshimet për korrupsion lidhen me përfitime të parregullta që pretendohet se janë marrë në marrëdhënie me kompani të ndryshme, të cilat kanë përfituar fonde publike ose leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës. Hetimi përfshin edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën, si dhe biznesmenë dhe subjekte të tjera.
Xoxa është dërguar gjithashtu për gjykim dhe përballet me akuza që lidhen me korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë. Të dy kanë mohuar akuzat dhe çështja po trajtohet në rrugë gjyqësore.
Veliaj qëndroi në paraburgimin e Durrësit për më shumë se një vit e tetë muaj, deri më 28 tetor 2026.
