Më 29 tetor 2026, Bordi i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) zhvilloi mbledhjen e radhës, gjatë së cilës miratoi ndryshime në kuadrin rregullator për mbrojtjen e konsumatorëve dhe autorizoi testimin e teknologjisë satelitore Direct-to-Device (D2D – IMT).
Mbrojtje më e madhe për konsumatorët
Rregullorja e re parashikon risi konkrete për përdoruesit e telefonisë celulare: vlefshmëri 12-mujore të kartës SIM, afat minimal prej 180 ditësh për kredinë monetare, mundësi rimbushjeje me vlera të ulëta, si dhe të drejtën për të kërkuar rimbursimin e kreditit monetar të papërdorur kur numri portohet te një operator tjetër.
Rregullorja parashikon gjithashtu më shumë transparencë për tarifat dhe ruajtjen e numrit celular për të paktën 12 muaj pas çaktivizimit.
Nga 1 janari 2027, nuk do të lejohen klauzola që parashikojnë rritje automatike të tarifave mujore në përqindje ose sipas indekseve të ndryshueshme, përfshirë Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK), kur vlera konkrete e tarifës së ardhshme nuk është përcaktuar në momentin e lidhjes së kontratës.
Masat do të zbatohen sipas afateve të përcaktuara në rregullore, duke nisur nga data 1 janar 2027.
Gjithashtu Bordi i AKEP autorizoi kompaninë One Albania për testimin gjatë një periudhe 120-ditore të teknologjisë Direct-to-Device (D2D), në bashkëpunim me Starlink/SpaceX.
Kjo teknologji mundëson lidhjen e drejtpërdrejtë të telefonave celularë të përshtatshëm me satelitët, duke synuar zgjerimin e mbulimit në zona ku sinjali i rrjeteve tokësore është i kufizuar.
