Një helikopter ushtarak i misionit të EUFOR-it është rrëzuar në fshatin Gorice, pranë Brçkos, në Bosnjë dhe Hercegovinë. Sipas raportimeve fillestare, mjeti fluturues është shkatërruar plotësisht nga përplasja, ndërsa burime jozyrtare raportojnë për tre persona të vdekur.
Aksidenti është konfirmuar nga misioni evropian EUFOR, i cili bëri të ditur se ngjarja ndodhi gjatë një operacioni rutinë në zonën e Brçkos, shkruan Klix.
Në njoftimin zyrtar, EUFOR-i thekson se nga rrëzimi nuk ka pasur dëme në infrastrukturën civile, prona apo automjete, ndërsa nuk raportohet për civilë të lënduar.
“EUFOR-i po zhvillon një hetim të plotë dhe të hollësishëm për incidentin dhe do të publikojë më shumë informacione kur të konstatohen faktet dhe kur të jetë e përshtatshme”, thuhet në deklaratën e misionit.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë së Distriktit të Brçkos, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, të cilat kanë ndërmarrë masat për sigurimin e zonës.
Ndërkohë, EUFOR-i u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin përhapjen e informacioneve të pakonfirmuara dhe të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare për të mësuar detaje të mëtejshme mbi aksidentin.
