Vetëm pak ditë më parë një edukatore e kopshtit publik numër 6 në Korçë u vu nën hetim pas denoncimit se kishte keqtrajtuar dhe dhunuar një fëmijë 4-vjeçar.
Rasti u bë publik pas denoncimit të nënës së fëmijës, e cila vuri re shenja dhune në qafën e djalit. Sipas dëshmisë së nënës, djali i kishte treguar se mësuesja e kishte goditur dhe e kishte mbyllur në një qilar. Policia e Korçës arrestoi edukatoren menjëherë pas denoncimit të bërë nga prindërit në komisariat.
Gjykata vendosi ta linte edukatoren të hetohej në gjendje të lirë, por dha ndaj saj masën e sigurimit “Pezullim nga detyra”.
Çështja po ndiqet nga organet kompetente, të cilat po shqyrtojnë pretendimet e nënës dhe provat e mundshme, përfshirë këtu edhe pamjet e kamerave të sigurisë së kopshtit.
Nëna e të miturit, duke folur në emisionin Me zemër të Hapur në News24 nga moderatorja Evis Ahmeti ka bërë thirrje publike që institucionet arsimore të ushtrojnë kontrolle më të shpeshta dhe më të rrepta nëpër kopshte për të garantuar sigurinë e fëmijëve.
Nëna deklaron se djali i saj ka trauma dhe dhimbje koke. Sipas saj, janë bërë madje përpjekje që rasti të mbyllet. Shtoi se si nënë e ka dërguar çështjen deri në fund.
Nëna: Unë jam shumë e shqetësuar. Djali ka trauma dhe dhimbje koke.
Djali im është në spital. Patjetër që jo të gjitha edukatoret mësueset janë kështu, sepse kam pasur vajzën në shkollë e kopsht e janë tepër korrekte. Jo të gjithë mësuesit e edukatorët janë të këqij. Unë jam e divorcuar, jam nënë që i rrit vetë fëmijët. Kam katër vite që jam e divorcuar. Edhe ish-bashkëshorti është interesuar, më ka mbështetur me fjalë të mira.
Edukatoret mbulonin rastin, duke i thënë djalit “Po gënjen”. Djali më ka thënë se edukatorja më ka qëlluar. Edukatorja më tha se djali im sikur po ankohej për çdo njeri. Unë jam nënë dhe e kam ndjekur rastin, sepse bëhet fjalë për djalin tim. Djali erdhi një ditë dhe kishte shenjë të kuqe, që ishin shenja dhune. Djali më ka thënë se “edukatorja më rrahu, më futi në qilar”. Edukatoret mbronin njëra-tjetrën dhe fajësojnë fëmijën.
