Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sot nisjen e një konsultimi me mësuesit, prindërit dhe shkollat për kufizimin e aksesit të të miturve në rrjetet sociale.
Në tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Rama tha se përdorimi i rrjeteve sociale ka nxitur izolimin dhe vetminë, si dhe ka zbehur kufirin mes botës reale dhe asaj virtuale.
Kryeministri tha se psikologët kanë arritur në përfundimin se shumë prej të miturve e perceptojnë botën virtuale sikur mund të futeshin fizikisht në një PlayStation. Sipas tij, diskutimi do të përqendrohet te përcaktimi i moshës për kufizimin e rrjeteve sociale.
“Kjo situatë e re e gatuar me vite në Evropë dhe Shqipëri, si rezultat i arsyeve që janë ca të ngjashme aq edhe të ndryshme, kërkon një qasje të re ndaj gjthçkaje që ndihmon socializimin fizik të njerëzve.
Është e qartë që rrjetet sociale kanë stimuluar një vetmi të një natyre shumë të rrezikshme për bashkëjetesën demokratike në një hapësirë sociale të përbashkët dhe kanë stimuluar një kapërcim të kufijve mes reales dhe virtuales në pikën që kanë nxjerrë psikologët në konkluzionin që shumë nga këta të mitur e konsiderojnë një mundësi të tillë si një mundësi për të hyrë fizikisht në një PlayStation.
Duhet hapur debati se si dhe kur duhet të kufizojmë aksesin në rrjete sociale të të miturve dhe deri në cilin kufi moshe 16 apo 18 vjeç që të mos kenë më asnjë mundësi që të kenë rrjetet e tyre sociale individuale. Do të fillojmë një konsultim kur na u desh të kufizojmë TikTok, një diskutim me mësuesit, prindërit dhe shkollat për kufizimin e rrjeteve sociale për të miturit.”, tha Rama.
