Gazetari Artan Hoxha ka komentuar në studion e News24 zhvillimet politike në vend, duke u ndalur te qëndrimi i kryeministrit Edi Rama ndaj dialogut, roli i opozitës dhe raportet e qeverisë shqiptare me ndërkombëtarët.
Hoxha u shpreh se me Ramën është e vështirë të zhvillohet dialog, pasi sipas tij kryeministri nuk e njeh këtë mënyrë komunikimi. Ai solli në vëmendje edhe protestat e studentëve të vitit 2018, duke pretenduar se edhe në atë kohë Rama i detyroi studentët të dëgjonin qëndrimin e tij.
Megjithatë, gazetari kritikoi edhe opozitën, duke thënë se ajo duhet të ndryshojë qasje dhe të jetë më shumë në shërbim të qytetarëve, nëse synon të vijë në pushtet.
Hoxha deklaroi se qeveria dhe kryeministri po përballen me një sërë skandalesh, ndërsa vuri në dukje se disa përfaqësues të mazhorancës janë nën hetim ose përballë drejtësisë.
Një pjesë të rëndësishme të analizës së tij gazetari ia kushtoi marrëdhënieve të Ramës me partnerët ndërkombëtarë, duke pretenduar se kryeministri po humbet mbështetjen që ka pasur deri më tani.
Ai tha se kryeministri ka humbur kredibilitetin në arenën ndërkombëtare dhe se mediat e huaja po e portretizojnë gjithnjë e më shumë si një autokrat.
“Me Ramën s’mund të bëhet dialog. Rama nuk e njeh dialogun. Edhe në 2018 i detyroi ta dëgjonin. Në rastin konkret dhe opozita ka nevojë për një dialog. Duhet të kthehet në shërbim, nëse ka ndërmend të vijë në pushtet. Opozita nuk po bën atë që duhet. Sot kjo qeveri sidomos ky pushtet dhe ky kryeministër është i mbytur nga skandalet. Më shumë përfaqësues të qeverisë i shikon në dyer të drejtësisë apo në burgje. Po ta shohësh ka ngelur i vetëm. Edi Ramës po i mbaron oksigjeni që merrte nga ndërkombëtarët. Po i pritet ai tubi që e mbante edhe kur ishte keq këtu brenda. Kryesisht, shoh në tërësi qëndrimin që kanë që në momentin kur kanë filluar këto qëndrime. Rama sot ndërkombëtarisht është i diskredituar, nuk ka sot një media serioze , grupe xhirimi që vijnë…Të gjithë tashmë Ramën e shohin si autokrat. Raportet e mediave ndërkombëtare bëjnë që drejtuesit e vendeve të BE apo të SHBA, marin raportet e mediave dhe e shohin ndikimin që ka media botërore në Shqipëri. Rama e ka humbur kredibilitetin dhe mbështetjen është edhe qëndrimi i përfaqësuesve të vendeve kryesore të BE, të cilët po luajnë nën rrogoz. Po përdorin edhe skandale dhe përgjime dhe prova kundër këtij pushteti. Vetëm rasti i regjistrimit të Ron Yeffet e ka bërë një diplomat i një vendi mik të Shqipërisë në Shqipëri që ka qenë dhe ka kontakt edhe i shërbimeve gjermane dhe britanike”, tha ai.
