Gjashtë persona kanë humbur jetën pas rrëzimit të një helikopteri në një luginë në Himalaje, në veri të Indisë. Mes viktimave janë pesë pasagjerët dhe piloti i helikopterit.
Sipas autoriteteve, helikopteri ishte nisur nga Badrinath, në shtetin e Uttarakhand, ndërsa u rrëzua në luginën Hoshimath, në një zonë malore të vështirë për t’u aksesuar.
Policia shtetërore bëri të ditur se po zhvillohen përpjekje për transportimin e trupave nga vendi i aksidentit drejt rrugës më të afërt.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi shkaqet e rrëzimit të helikopterit.
Aksidenti ndodhi në një kohë kur Departamenti Meteorologjik i Indisë kishte parashikuar reshje shiu në të gjithë shtetin e Uttarakhand, dy ditë pas goditjes së bregut juglindor të vendit nga cikloni Arnab.
Zona ku ndodhi aksidenti është një destinacion i rëndësishëm pelegrinazhi për besimtarët hindu. Në Badrinath ndodhet një prej tempujve më të shenjtë kushtuar perëndisë Vishnu, i cili tërheq miliona pelegrinë çdo vit.
Për shkak të terrenit të vështirë malor, shumë pelegrinë përdorin shërbimet e kompanive të transportit me helikopter për të vizituar vendet e shenjta, duke shmangur udhëtimet e gjata dhe të vështira në këmbë.
