Mbi 1.5 milionë persona kanë marrë pjesë në protestat masive të zhvilluara në të gjithë Italinë, në kuadër të grevës së përgjithshme të thirrur nga sindikata USB kundër riarmatimit, luftës dhe rritjes së kostos së jetesës.

Demonstratat bashkuan mijëra studentë, punëtorë, fermerë, pensionistë, sindikata, aktivistë pro-palestinezë dhe lëvizje për të drejtat e strehimit. Në marshime u përfshinë edhe fëmijë të vegjël, të cilët dolën në rrugë me karrocat e shtyra nga nënat e tyre.

Disa prej tyre mbanin pankarta me mesazhin: “Jam 10 vjeç dhe po bëj grevë për të ardhmen time”.

Sipas vlerësimeve të sindikatës organizatore, pjesëmarrja arriti në mbi 1.5 milionë persona, ndërsa demonstratat u zhvilluan në më shumë se 60 sheshe në qytete të ndryshme të vendit.

Shumica e protestave u zhvilluan në mënyrë paqësore, por situata u tensionua në mbrëmje në Romë dhe Torino, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Në kryeqytetin italian, një grup protestuesish u shkëput nga marshimi kryesor pranë Koloseut, duke hedhur shishe dhe objekte drejt policisë, ndërsa disa prej tyre u vunë flakën koshave të mbeturinave. Forcat e rendit ndërhynë për të shpërndarë turmën.

Tensionet vijuan më vonë në zonën e Ponte Sisto, në Trastevere, ku një grup protestuesish tentoi të marshonte drejt Parlamentit. Policia përdori topa uji për të shpërndarë turmën në zonën e Lungotevere Testaccio. Tetë persona u arrestuan pasi tentuan disa herë të çanin barrierat e sigurisë.

Përplasje pati edhe në Torino, ku policia përdori topa uji dhe armë zjarri për të sprapsur protestuesit që iu afruan kordonit të sigurisë pranë Prefekturës. Në mbrëmje, pas hedhjes së shisheve drejt efektivëve, policia përdori edhe gaz lotsjellës.

Incidente u raportuan gjithashtu në Mestre dhe Vicenza. Në Mestre, shtatë efektivë mbetën të lënduar, ndërsa në Vicenza dhjetë protestues dhe punonjës policie pësuan dëmtime gjatë përpjekjeve për të bllokuar qarkullimin në unazën rrugore.

Ndërkohë, në Milano, protestuesit bllokuan për rreth një orë e gjysmë unazën lindore të qytetit, përpara se të riktheheshin në qendër. Gjatë marshimit u shënuan edhe grafite me mesazhe kundër kryeministres Giorgia Meloni dhe zëvendëskryeministrit Matteo Salvini.

Protestat u shtrinë edhe në porte, ku sindikata dhe organizata të ndryshme kundërshtuan trafikun e armëve. Në Xhenova dhe Napoli, studentë dhe punëtorë marshuan në zonat portuale pa incidente të rëndësishme.

Pavarësisht tensioneve në disa qytete, shumica e demonstratave përfunduan pa përplasje madhore. Ministria e Brendshme kishte vendosur masa të shtuara sigurie në të gjithë vendin, me synimin për të garantuar të drejtën e protestës paqësore dhe për të izoluar grupet e dhunshme.

Nga ana tjetër, sindikata USB deklaroi se mobilizimi masiv është vetëm fillimi dhe se protestat kundër riarmatimit dhe rritjes së kostove do të vijojnë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: