Kanadaja dhe Bashkimi Evropian synojnë të përfundojnë deri në qershor të vitit 2027 negociatat për një formë të re bashkëpunimi, që mund t’i japë Otavës statusin e anëtarit të asociuar të bllokut. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri kanadez Mark Carney, pas samitit dypalësh të zhvilluar të premten në Montreal, ku morën pjesë edhe drejtuesit më të lartë të institucioneve evropiane.
Propozimi synon një afrim më të madh mes dy palëve në fushat e politikës, programeve dhe qeverisjes. Megjithatë, koncepti i “anëtarësimit të asociuar” nuk parashikohet në traktatet aktuale të BE-së dhe kushtet konkrete të këtij statusi mbeten ende për t’u negociuar.
Carney deklaroi se Kanadaja synon partneritetin më të thellë të mundshëm me Bashkimin Evropian, përtej marrëdhënieve të zakonshme të bashkëpunimit. Ai tha se në muajt e ardhshëm do të përcaktohen përmbajtja, niveli dhe shtrirja e kësaj forme të re anëtarësimi.
Nisma është mbështetur nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila e hodhi për herë të parë këtë ide në shtator, duke e propozuar Kanadanë si vendin e parë që mund të përfitojë një status të tillë. Propozimi shkaktoi diskutime mes vendeve anëtare, ndërsa Gjermania kundërshtoi përdorimin e termit “anëtar i asociuar” gjatë negociimit të deklaratës së përbashkët të samitit. Në dokumentin përfundimtar u përdor formulimi “bashkëpunim gjithnjë e më i ngushtë”.
Megjithatë, Carney këmbënguli se synimi mbetet krijimi i një modeli të ri marrëdhëniesh mes Kanadasë dhe BE-së. Ai theksoi se procesi sapo ka nisur dhe se palët do të punojnë për të përcaktuar detajet e tij.
Nga ana e saj, Von der Leyen përmendi disa përfitime konkrete që mund të sjellë afrimi, mes tyre përfshirjen e plotë të Kanadasë në programet Horizon dhe Erasmus, si dhe pjesëmarrjen në kredinë mbështetëse prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën.
Samiti në Montreal shërbeu gjithashtu për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të tjera strategjike, si tregtia digjitale, energjia, lëndët e para kritike, superkompjuterët, inteligjenca artificiale dhe teknologjia satelitore.
“Koncepti i një anëtari të asociuar është një territor i panjohur, por ne kemi ambicien, besimin dhe kreativitetin për ta formësuar atë së bashku”, deklaroi Von der Leyen, duke theksuar se bëhet fjalë për një partneritet që synon forcimin e përbashkët të dy palëve.
Komisioni Evropian dhe qeveria kanadeze pritet të zhvillojnë në pranverë një takim të përbashkët me kabinetet përkatëse, ku do të detajohen elementet e propozimit. Më pas, Carney pritet të marrë pjesë në samitin e liderëve të BE-së në qershor 2027, me synimin për të përmbyllur negociatat.
Ende nuk është përcaktuar se si do të ratifikohet marrëveshja në vendet evropiane. Kryeministri kanadez është zotuar se propozimi do t’i nënshtrohet edhe votimit në Parlamentin e Kanadasë.
E pyetur për kundërshtimin e Gjermanisë, Von der Leyen tha se ekziston mbështetje e gjerë mes shteteve anëtare për afrimin e Kanadasë me bllokun. Ndërkohë, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, shmangu përdorimin e termit “anëtar i asociuar”, duke iu referuar formulimit të deklaratës së përbashkët për një marrëdhënie gjithnjë e më të ngushtë.
Debati për këtë status lidhet edhe me diskutimet e mëparshme mbi të ardhmen e vendeve që synojnë anëtarësimin në BE. Kancelari gjerman Friedrich Merz kishte propozuar më herët konceptin e anëtarësimit të asociuar në kontekstin e aspiratave të Ukrainës për t’u bërë pjesë e Unionit, por Kievi e kishte refuzuar idenë, duke këmbëngulur për anëtarësim të plotë.
Von der Leyen theksoi se traktatet e BE-së e rezervojnë anëtarësimin e plotë për shtetet evropiane, ndaj për Kanadanë po kërkohet një model i ri bashkëpunimi. Sipas saj, sfida e radhës është hartimi i kuadrit dhe përcaktimi i përmbajtjes konkrete të këtij partneriteti.
