Paketa e re fiskale, e cila parashikon ndryshime në taksim, ulje të TVSH-së për disa produkte bazë dhe masa të tjera për bizneset, pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e familjeve shqiptare. Por, pavarësisht premtimeve për uljen e çmimeve të shportës, ekspertët e ekonomisë ngrenë pikëpyetje mbi efektet afatgjata të këtyre masave dhe paralajmërojnë se barra financiare mund të përfundojë sërish te konsumatori.

Në një bisedë me gazetaren e News24 Megi Latifi, ekspertët e ekonomisë Romina Radonshqi dhe Edvin Prence analizuan pasojat e paketës së re fiskale, duke vënë në dukje se masat janë ndërmarrë pa një analizë të thelluar të ndikimit që do të kenë te bizneset dhe qytetarët. Ekspertja e ekonomisë Romina Radonshqi tha se paketa fiskale erdhi pas protestave dhe se ulja e çmimeve për produktet bazë mund të jetë e përkohshme. Sipas saj, lehtësimi i premtuar për 52 produkte nuk do të thotë se qytetarët do të përballen me çmime më të ulëta edhe në sektorët e tjerë, pasi mallrat dhe shërbimet mund të shtrenjtohen.

“Paketa e re fiskale nisi për shkak të protestës. Fakti që thuhet se do të ulet çmimi i shportës, të presim se çfarë do të ndodhë pas 6 muajsh. Bëhet fjalë për produkte të shportës, por mallrat dhe shërbimet do të kushtojnë më shtrenjtë. Vetëm 52 produkte, do të kemi një ulje me 14%. Nëse çmimi i një buke është 1 mijë lekë të reja, kjo bukë do të duhet të kushtojë 850 lekë ose 900 lekë. Kjo është ajo që synon qeveria në produktet bazë. Për ndërtimet që do të bëhen pas 21%, do të ketë rritje të kostos. Pra, kush blen pasuri të paluajtshme, do të ketë rritje të çmimit. Kemi rritje të dividendit. Protesta ndikoi që qeveria të kuptonte se shqiptarët jetojnë në kushte të vështira. Për këtë kënaqje për këtë kategori, nuk mund t’ia pasosh dëmet biznesit, i cili ose do të rrisë kostot, çmimet, ose do të shkurtojë staf.”, tha Romina Radonshqi.

Edhe eksperti i ekonomisë Edvin Prence e konsideroi paketën të nxituar, duke argumentuar se nuk është bërë një analizë e plotë për të përcaktuar se sa do të jetë ndikimi financiar dhe kush do ta përballojë barrën. Sipas tij, lehtësimi nga ulja e TVSH-së është i kufizuar, ndërsa kostot që do të rëndojnë mbi bizneset rrezikojnë të transferohen te konsumatorët.

“Nuk është bërë një analizë e thelluar se sa do të jetë ndikimi dhe barra. Në rastin e TVSH-së, kjo ulje e barrës do të ndikojë deri në 11% maksimumi. Kjo paketë është bërë e nxituar. Kur makinisti i trenit është arroganca, atëherë kemi pasoja. Ka qenë vendimmarrje e përshpejtuar, e nxituar dhe barra do të ndikojë te biznesi dhe do të shkarkohet te konsumatori.”, tha ai.

Ndërkohë, Radonshqi theksoi se ulja e TVSH-së për produktet bazë është një masë e vonuar, pasi vende të tjera e kanë zbatuar më herët. Ajo paralajmëroi se lehtësimi i çmimeve mund të ndihet vetëm gjatë gjashtë muajve të parë, ndërsa më pas ekonomia mund të përballet me një sërë vështirësish. “Ulja e TVSH-së për produktet bazë është e vonuar, se shtete të tjera e kanë bërë me kohë. Ne kemi kërkuar që të ulet TVSH-ja, edhe pse propozimi ynë nuk është dëgjuar. Për 6 muaj mund të ketë një ulje të lehtë të çmimeve, pas kësaj periudhe vendi do të përballet me një seri problemesh.”, shtoi ajo. Paralajmërimet e ekspertëve rikthejnë në vëmendje pyetjen se sa reale do të jetë ulja e kostos së jetesës për familjet shqiptare në vitin 2027 dhe nëse lehtësitë e parashikuara nga paketa fiskale do të kompensojnë rritjen e mundshme të kostove në sektorë të tjerë të ekonomisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: