Reshjet e fundit nuk kanë ndikuar aspak në nivelin e liqenit të Fierzës. Siç shihet edhe nga pamjet, niveli i ujit është shumë i ulët, çka si pasoje ka nxjerrë rrënojat e Kukësit të Vjetër.
Sipas të dhënave më të fundit, kuota e ujit është 260 metra mbi nivelin e detit, ndërsa prurjet shënojnë me pak se 45 metër kub ujë në sekondë.
Situata hidrike mbetet e njëjtë, ndërsa hidrocentrali i Fierzës është jashtë punem për shkak të rënies së nivelit të ujit në liqen.
Niveli i liqenit ndikohet nga reshjet, prurjet e lumenjve dhe menaxhimi i rezervave ujore. Për këtë arsye, ecuria e kushteve hidrike në ditët në vijim do të jetë e rëndësishme si për situatën në kaskadën e Drinit, ashtu edhe për mundësinë e rikthimit në punë të hidrocentralit të Fierzës. Gjatë periudhave me reshje të pakta, siç është rasti aktual, niveli i ujit ka rënë ndjeshëm, duke kufizuar prodhimin e energjisë elektrike dhe duke krijuar shqetësime për furnizimin me ujë.
Në të kundërt, prurjet e shumta, ndihmojnë në stabilizimin e rezervave ujore dhe në përmirësimin e kapaciteteve hidroenergjetike të vendit. Por tërheqja e ujit nuk ka vetëm pasoja historike, por edhe për gjallesat ujore.
Dalja në sipërfaqe e rrënojave të Kukësit të vjetër gjatë këtij viti është shfaqur dy herë brenda dhjetë muajve.
Thatësira e tejzgjatur dhe shfrytëzimi i ujit për prodhimin e energjisë elektrike ka sjellë rënie të ndjeshme të nivelit të liqenit të Kukësit, i cili shërben si rezervuar për hidrocentralin e Fierzës.
