Është mbyllur java e 9-të e Kategorisë së Parë, me gjashtë takime që sollën rezultate të rëndësishme dhe ndryshime në krye të renditjes.

Iliria është tashmë kryesuese e vetme e kampionatit. Skuadra nga Fushë-Kruja fitoi 3-2 në transfertë ndaj Sopotit dhe u ngjit në kuotën e 18 pikëve, duke u shkëputur nga Kukësi, me të cilin ndante kreun e renditjes një javë më parë.

Në vendin e dytë renditet Besa me 17 pikë, pas fitores 3-2 ndaj Pogradecit. Ndërkohë, Flamurtari, Bylis dhe Kukësi ndajnë kuotën e 15 pikëve, duke vijuar garën në zonën e sipërme të tabelës.

Në ndeshjet e tjera të javës, Bylis fitoi 2-0 në transfertë ndaj Burrelit, ndërsa Kastrioti triumfoi me të njëjtin rezultat ndaj Korabit. Besëlidhja mori tri pikë në transfertë, duke mundur Orikun 1-0.

Java u mbyll me suksesin 2-0 të Flamurtarit ndaj Kukësit, një fitore që e ngjit skuadrën vlonjate në kuotën e 15 pikëve dhe e mban në garë për kreun e kampionatit.

Kategoria e Parë vijon kështu me një garë të ngushtë, ku diferencat në krye të renditjes mbeten minimale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb