Presidenti amerikan Donald Trump u ka bërë thirrje votuesve që të mbështesin vazhdimin e politikave të tij, në një kohë kur shumica republikane në Kongres është në rrezik dhe gara politike për kontrollin e tij po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.
“Ne duhet ta mbajmë Amerikën të madhe”, deklaroi Trump në një intervistë për emisionin “Fox & Friends” të rrjetit Fox News.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë pretendoi se Shtetet e Bashkuara kanë rikthyer prestigjin dhe ndikimin e tyre në arenën ndërkombëtare.
“Ata menduan se ishim objekt talljeje. Menduan se ishim budallenj. Dhe tani jemi në krye. Ne jemi vendi më popullor në botë, të gjithë na respektojnë”, u shpreh Trump.
Ndërkohë, presidenti amerikan ka ashpërsuar retorikën politike ndaj kandidatit demokrat për Senat në Michigan, Abdul El-Sayed, vetëm pak orë para hapjes së qendrave të votimit.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump bëri akuza të forta ndaj kandidatit demokrat, duke pretenduar se ai ka qëndrime armiqësore ndaj hebrenjve dhe grupeve të ndryshme etnike.
Më tej, presidenti amerikan u bëri thirrje votuesve të mos e mbështesin kandidatin demokrat dhe të votojnë për republikanin Mike Rogers.
“Vetëm budallenjtë do të votonin për të në garën për Senat në Michigan! Ai do t’ju shkatërrojë 100%! Votoni për Mike Rogers”, shkroi Trump në mesazhin e tij.
