Qyteti i Chiarit në Itali vijon të jetë i tronditur nga vrasja e 39-vjeçares shqiptare Meleqe Lusha, e cila dyshohet se u vra me thikë nga djali i saj 21-vjeçar, Eduart Xhani, brenda banesës së tyre.

Kryebashkiaku i Chiarit, Gabriele Zotti, ka reaguar pas ngjarjes tragjike, duke u shprehur se lajmi ka tronditur të gjithë komunitetin, jo vetëm personat që njihnin familjen.

Ai e përshkroi 39-vjeçaren si një grua punëtore, e cila kishte rritur e vetme djalin pas ndarjes nga bashkëshorti. Meleqe Lusha punonte në Spitalin Civil të Breshias, ndërsa mbështetje kishte edhe nga katër vëllezërit e saj, të angazhuar në sektorin e ndërtimit.

Sipas kryebashkiakut, edhe 21-vjeçari ishte rritur dhe shkolluar në Chiari, ndërsa deri më tani nuk kishte pasur probleme të raportuara apo sjellje që të kishin shqetësuar komunitetin.

“Është një djalë që deri më sot nuk ishte raportuar për probleme. Kjo e bën edhe më të vështirë të kuptohet se çfarë ka ndodhur dhe çfarë e ka çuar drejt dhunës”, u shpreh Zotti.

Pas krimit, i riu u largua nga banesa në rrugën Tagliata, por më vonë u vetëdorëzua te Karabinierët në Kremona.

Kryebashkiaku kërkoi që autoritetet të zbardhin plotësisht shkaqet dhe rrethanat e tragjedisë, ndërsa theksoi se e gjithë shoqëria duhet të reflektojë përballë një ngjarjeje të tillë.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar motivet e vrasjes dhe dinamikën e plotë të ngjarjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb