Tre intelektualë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare, të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, janë identifikuar përmes analizave të ADN-së.

Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili njoftoi se raportet e reja të ADN-së kanë konfirmuar identitetin e Adem Fazli Ademit, Fatmir Bajram Fazliut dhe Ali Islam Halitit, pjesëtarë të Grupit të Intelektualëve.

Mbetjet mortore të tyre ishin zhvarrosur në zonat e Kalludrës dhe Jabukës. Pas përfundimit të analizave, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ka vënë në dijeni edhe familjarët e tre personave.

Sipas Kurtit, ata u rrëmbyen në prill të vitit 1999 nga forcat e armatosura serbe dhe më pas u zhdukën me dhunë.

Kryeministri shprehu ngushëllimet për familjet, duke theksuar se zbardhja e fatit të personave të zhdukur dhe vendosja e drejtësisë për krimet e kryera gjatë luftës mbeten angazhime prioritare të qeverisë.

Ai akuzoi gjithashtu Serbinë se vijon të mohojë krimet e luftës dhe të mbajë të fshehura dokumente e arkiva që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb