Kryetari i partisë Mundësia Agron Shehaj, i ftuar në emisionin Prime News24 komentoi përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Shehaj tha se uron që përplasja mes Ramës e Veliajt të vazhdojë.

Sipas tij, nëse përplasja mes dy figurave në PS vazhdon, ata do i nxjerrin të palarat njëri-tjetrit dhe drejtësia do ketë material, për të ndjekur penalisht edhe kryeministrin.

Kryetari i partisë Mundësia, Agron Shehaj: Shqetësimi ynë është që Edi Rama të ikë. Kjo që po ndodh urojmë që t’i shërbejë pikërisht këtij qëllimi, që Rama të largohet. T’i dalë boja edhe më shumë në raport se ç’i ka dalë dhe urojmë që Erion Veliaj të vazhdojë. Shprehja “hëngshin kokat” ka kuptimin që vazhdoni zihuni ju, se sa më shumë të ziheni, aq më shumë do u dalë boja dhe aq më shumë njerëzve do u vini në majë të hundës dhe do ju largojnë.

Uroj që përplasja mes këtyre dy figurave në PS të vazhdojë. Të vazhdojë, në mënyrë që drejtësia të ketë sa më shumë prova dhe elementë, për të ndjekur penalisht edhe kryeministrin dhe që qytetarët të marrin vesh se me kë kanë të bëjnë. Këtë kuptim ka shprehja “Hëngshin kokat”.

Mua më erdhi në mendje diçka, kur dëgjova Erion Veliajn kur ankohej, mbase me të drejtë për të drejtat që mund t’i jenë mohuar në burg, se hajde merre vesh se çfarë ndodh nëpër burgje. Kur dëgjon Veliajn që flet për të drejta, kur ky ka qenë një nga ata, që iu ka mohuar të drejtën me mijëra shqiptarëve për të jetuar në Tiranë, për të marrë një leje, një licencë, për të zhvilluar një biznes, nuk di ç’të mendosh. Kur dëgjon që këta flasin për të drejta, thua e shikon si vjen puna, vjen dita të japësh llogari.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb