Ministri i Transportit i Spanjës, Óscar Puente, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, vetëm gjashtë ditë pas aksidentit tragjik hekurudhor që u mori jetën të paktën 69 personave dhe la dhjetëra të tjerë të plagosur.

Vendimin e tij e bëri publik të martën në mbrëmje, gjatë një seance në Parlamentin spanjoll, ku ishte thirrur për të raportuar mbi rrethanat e përplasjes së dy trenave të shpejtësisë së lartë, pranë qytetit Urda, në jug të Madridit.

Puente deklaroi se nuk mund të vijonte të qëndronte në detyrë pas dy aksidenteve të rënda brenda një periudhe më pak se një vit. Ai iu referua edhe një tjetër aksidenti fatal të ndodhur në muajin janar në rajonin e Andaluzisë.

Tragjedia e fundit ndodhi më 28 tetor, kur një tren i shpejtësisë së lartë, në pronësi të kompanisë shtetërore Renfe, u përplas me pjesën e pasme të një treni tjetër të kompanisë Iryo, i cili ishte ndalur në shina.

Treni2
Treni2

Dorëheqja e ministrit erdhi pas presionit në rritje nga partitë opozitare, por edhe nga disa aleatë të qeverisë, të cilët kishin kërkuar largimin e tij nga detyra.

Ndërkohë, mediat spanjolle kanë publikuar edhe regjistrime audio të komunikimeve mes drejtuesve të trenave dhe qendrës së kontrollit, të realizuara pak minuta para aksidentit. Në tri regjistrime dëgjohen komunikimet mes qendrës së kontrollit në Madrid dhe dy makinistëve, të cilat ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si është autorizuar lëvizja e njërit prej trenave, ndërkohë që një tjetër ndodhej i ndalur në të njëjtën linjë, rreth 25 kilometra më përpara.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, ka deklaruar se autoritetet do të hetojnë çdo detaj të tragjedisë, duke garantuar se do të zbardhen plotësisht shkaqet dhe përgjegjësitë për aksidentin që tronditi vendin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb