E ftuar në emisionin “Alert” në News24, Alma Bilali, këshilltare ligjore pranë projektit SANECA II/GIZ, foli për Ligjin e ri për Mbrojtjen e Konsumatorit, procesin e hartimit, konsultimet me grupet e interesit dhe sfidat që shoqërojnë zbatimin e tij në praktikë.

Bilali bëri të ditur se hartimi i ligjit ka zgjatur rreth dy vite e gjysmë dhe është shoqëruar me konsultime të vazhdueshme me shoqatat e konsumatorëve, operatorët ekonomikë dhe institucionet përgjegjëse. Sipas saj, ky bashkëpunim ka qenë i rëndësishëm për ndërtimin e një kuadri ligjor që u përgjigjet nevojave reale të tregut dhe garanton mbrojtje më të mirë për qytetarët.

“Një periudhë prej 6 muajsh do të shërbejë për të shtrirë informacionin dhe përgatitjen për zbatimin e ligjit edhe te operatorët ekonomikë më të largët, në mënyrë që ndryshimet të njihen dhe të zbatohen në të gjithë territorin e Shqipërisë” tha Bilali.

Ajo theksoi se gjatë kësaj periudhe do të zhvillohen fushata promovuese dhe ndërgjegjësuese, të cilat nuk do t’u drejtohen vetëm bizneseve, por edhe konsumatorëve. Synimi është që qytetarët të njihen me të drejtat e tyre, ndërsa operatorët ekonomikë të kuptojnë detyrimet që burojnë nga legjislacioni i ri.

Një tjetër çështje e rëndësishme që Bilali ngriti ishte disiplinimi i tregtarëve dhe garantimi i një tregtie të ndershme. Sipas saj, ligji synon të vendosë rregulla më të qarta në marrëdhëniet mes bizneseve dhe konsumatorëve, ndërsa zbatimi efektiv kërkon angazhimin e disa aktorëve kyç, përfshirë strukturat shtetërore.

Bilali tha se ligji ruan disa elemente të kuadrit të mëparshëm, por synon të forcojë mekanizmat e mbrojtjes së konsumatorit dhe rolin e institucioneve përgjegjëse.

Bilali vlerësoi se hartimi i një ligji të ri në këtë fushë ishte një proces kompleks, duke pasur parasysh gamën e gjerë të çështjeve që mbulon mbrojtja e konsumatorit. Në këtë kuadër, projekti SANECA II, i zbatuar nga GIZ në Shqipëri, ka dhënë mbështetje për përafrimin e legjislacionit me standardet europiane dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Ajo theksoi se ligji i ri ishte i domosdoshëm jo vetëm për t’iu përgjigjur zhvillimeve të tregut dhe sfidave të tregtisë online, por edhe për të përmbushur detyrimet që lidhen me procesin e integrimit europian.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe sigurisë ushqimore, si një prej fushave ku nevojiten mbrojtje më e fortë dhe mekanizma efektivë kontrolli.

Megjithatë, sfida kryesore mbetet zbatimi në praktikë, njohja e të drejtave nga konsumatorët, respektimi i detyrimeve nga tregtarët dhe funksionimi i institucioneve që duhet të garantojnë një treg të drejtë dhe transparent.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: