Eurodeputetja italiane Ilaria Salis ka reaguar pas prezantimit të raportit të progresit për Shqipërinë në Parlamentin Evropian nga komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, duke shprehur mbështetjen për të rinjtë që prej muajsh protestojnë kundër qeverisë.

Në fjalën e saj, Salis theksoi se në Shqipëri ka shumë zëra që nuk janë dëgjuar, duke iu referuar veçanërisht të rinjve që kanë dalë në rrugë për të kërkuar një vend pa korrupsion, ku të mund të jetojnë me dinjitet.

Sipas eurodeputetes, këta protestues përfaqësojnë një pjesë të shoqërisë shqiptare që po mobilizohet për të mbrojtur vendin, me mesazhin se “Shqipëria nuk është për shitje”.

Ajo akuzoi qeverinë se përballë protestave ka zgjedhur represionin, duke përdorur gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës, ndërsa e cilësoi këtë si abuzim me pushtetin.

Salis u ndal edhe te propozimi për vendosjen e gjobave deri në 5 mijë euro ndaj protestuesve, duke shprehur shqetësimin për pasojat që mund të ketë një masë e tillë ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë.

Në përfundim, eurodeputetja u bëri thirrje që të mos lihen vetëm të rinjtë shqiptarë, duke theksuar se beteja e tyre është një çështje që duhet të shqetësojë edhe Evropën.

“Lufta e tyre është lufta juaj”, ishte mesazhi i Salis, e cila kërkoi që situata në Shqipëri të përmirësohet dhe zërat e protestuesve të dëgjohen.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb