Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të Raportit Vjetor të Progresit nga Komisioni Evropian, duke e cilësuar vlerësimin për Shqipërinë si një moment krenarie dhe një tjetër hap përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Përmes një reagimi, Rama u shpreh se Shqipëria është vlerësuar më lart se në çdo raport të mëparshëm, ndërsa e konsideroi dokumentin një dëshmi inkurajuese për ecurinë e vendit në rrugën evropiane.

Megjithatë, kreu i qeverisë pranoi se mbeten ende shumë detyra për t’u përmbushur, ndërsa afatet e negociatave po bëhen gjithnjë e më të ngushta. Ai theksoi gjithashtu se vlerësimi pozitiv i Komisionit Evropian nuk i zbeh problematikat e përditshme të vendit, të cilat sipas tij do të vijojnë të jenë në vëmendjen e qeverisë. Rama e cilësoi momentin aktual si optimal për Shqipërinë, duke nënvizuar se perspektiva e anëtarësimit në BE është më konkrete se kurrë. Në fund të reagimit, kryeministri bëri thirrje për të lënë pas përçarjet dhe konfliktet politike, të cilat sipas tij kanë penguar vendin të shfrytëzojë potencialin e tij.

Reagimi i plotë i Edi Ramës:

Doli Raporti Vjetor i Progresit. Shqipëria vlerësohet më lart se sa asnjëherë më parë.

Një tjetër moment krenarie për Shqipërinë Europiane.
Një tjetër dëftesë notash domethënëse dhe inkurajuese nga Komisioni Europian.
Një tjetër hap përpara drejt objektivit historik të bashkimit me Europën.

Por detyrat përpara nesh janë ende të shumta, kurse koha e kalendarit të ngjeshur të negociatave gjithnjë e më e ngushtë.

Dhe ky vlerësim nuk i bën as më të vogla, as më pak aktuale problematikat e jetës së përditshme të vendit, të cilat kanë pasur, kanë dhe do të kenë të gjithë vëmendjen time, të qeverisë, të shumicës parlamentare. Përkundrazi, vlerësimi i lartë i raportit të sotëm na motivon për të bërë ende më shumë dhe për t’i bërë gjërat ende më mirë.

Momenti është optimal. Dera e BE është e hapur dhe mundësia e hyrjes është më reale se kurrë. Historia nuk do të na e falte kurrësesi mbytjen në lugën e ujit të pistë të dasive, mllefeve e gjelozive që e kanë penguar vazhdimisht Shqipërinë të ngrihet në lartësinë e potencialit të saj.

Kokën lart dhe përpara Shqipëri🇦🇱🦅🇪🇺

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: