“Ky është vetëm fillimi”, deklaroi Kimi Antoneli pas triumfit në Botëror, me pilotin e Mercedesit që nuk ka frikë nga e ardhmja. Pas festimeve në Meksikë, ku u kurorëzua kampioni më i ri i botës në historinë e Formula 1, mendimi i tij i parë ishte pikërisht për atë që e pret përpara. Një të ardhme që mezi pret ta përjetojë.
Gjithçka do të nisë me garat e fundit të këtij sezoni, të cilat piloti italian tashmë mund t’i përballojë pa presion, i çliruar nga llogaritë dhe shqetësimet për titullin botëror, që tashmë mban emrin e tij. Katër garat e mbetura të sezonit do të jenë veçanërisht të rëndësishme për skuadrën, e cila që prej prezantimit të paketës së fundit të përditësimeve në Malajzi po punon me objektivin e sezonit 2027.
Ky proces zhvillimi, së bashku me punën vendimtare që do të kryhet gjatë dimrit në Brackley, do të përcaktojë raportin e forcave në nisje të kampionatit të ardhshëm. Krahasuar me fillimin e sezonit, kur dominimi i Mercedesit dukej i pakontestueshëm dhe pa rivalë të denjë, në pjesën e dytë të kampionatit kundërshtarët janë afruar ndjeshëm. Një zhvillim që paralajmëron një sezon 2027 me më shumë rivalitet.
RED BULLI, KËRCËNIMI KRYESOR – Këtë sezon, nga 19 Çmime të Mëdha të zhvilluara deri më tani, 12 janë fituar nga Mercedesi, kundrejt dy triumfeve të Ferrarit, dy të MekLarenit dhe tre të Red Bullit. Pikërisht skuadra austriake duket se përbën shqetësimin më të madh për kampionin e ri, Antoneli, i cili ka parë Maks Vershtapenin të triumfojë në tri nga katër garat e fundit. Një përballje mes Vershtapenit dhe Antonelit që premton të shndërrohet në një duel të vërtetë brezash. Nga njëra anë, Maksi, i cili debutoi në Formula 1 në vitin 2015, vetëm 17 vjeç, dhe që pa mbushur ende 30 vjeç ka fituar tashmë katër tituj botërorë.
Nga ana tjetër, Kimi, talenti i ri që u bë kampion bote që në sezonin e tij të dytë në Formula 1. “Do të më pëlqente shumë të përballesha me të, sepse kjo do të më ndihmonte të kuptoja nivelin tim. Do të ishte gjithashtu interesante të shihnim se si do të evoluonte marrëdhënia jonë”, u shpreh Antoneli pa asnjë shenjë frike. Vershtapen, i cili ndaj pilotëve të rinj të këtij brezi ka treguar shpesh një qasje prej mentori, me Antonelin ka krijuar një raport veçanërisht të veçantë.
“Më pëlqen shumë Kimi. Ndajmë të njëjtin pasion për garat GT dhe komunikojmë edhe kur nuk jemi në pistë. Është një pilot i jashtëzakonshëm. E ndjek që nga koha kur garonte me karting dhe nuk kam pasur kurrë dyshime për atë që mund të arrinte. Do të ishte bukur t’ia vështirësoja pak jetën sezonin e ardhshëm”, deklaroi holandezi. Ashtu siç Vershtapeni pati mundësinë të përballej me Luis Hamiltonin, kampionin e madh prej të cilit mund të mësonte përpara se të ndesheshin drejtpërdrejt për titullin botëror në vitin 2021, edhe Antoneli mund të ketë në një të ardhme jo shumë të largët një rivalitet të ngjashëm me vetë Vershtapenin.
FERRARI-MEKLAREN, RIVALË NË PRITJE – Megjithatë, Antoneli nuk e nënvlerëson asnjë kundërshtar. “Ende nuk e dimë se si do të jetë raporti i forcave sezonin e ardhshëm. Edhe Ferrari dhe MekLaren mund të jenë konkurrues. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë Rasëllin, i cili do të rikthehet shumë më i fortë”, theksoi piloti 20-vjeçar italian. Pas dueleve të para në pistë në fillim të këtij kampionati, shoku i tij britanik i skuadrës nuk arriti të konfirmohej si një kandidat real për titullin. Rasëll pati më shumë vështirësi në përshtatjen dhe menaxhimin e këtyre makinave të reja. Për të, periudha e dimrit do të jetë vendimtare për të rikuperuar energjitë dhe për t’u rikthyer në pistë me një qasje krejtësisht të ndryshme.
Rasëll do të kërkojë hakmarrjen sportive, në një sezon që mund të përcaktojë edhe drejtimin e mëtejshëm të karrierës së tij. Në të njëjtën situatë pritshmërish janë edhe dy pilotët e Ferrarit, Sharl Lëklerk dhe Luis Hamilton. Ashtu si Rasëll, edhe ata do të duhet të tregojnë se janë në gjendje të rivalizojnë Antonelin në sezonin 2027. Të dy pilotët e kuq kanë theksuar vazhdimisht se gjithçka do të varet nga puna që skuadra e Maranelos do të kryejë gjatë dimrit. Pikërisht ajo do të përcaktojë nëse Ferrari do të jetë në gjendje të luftojë për titullin botëror sezonin e ardhshëm.
Aktualisht, Ferrari është përqendruar në zhvillimin e njësisë së re të fuqisë, e cila përbën pikën më të dobët të makinës. Në aspektin e shasisë, njëvendëshja italiane ka treguar se mund të rivalizojë skuadrat më të mira të kampionatit. Prandaj, reduktimi i diferencës në performancën e motorit do të jetë çelësi për suksesin e Ferrarit në sezonin e ardhshëm. “E di që jemi vërtet shumë pranë luftës për titullin”, deklaroi Hamilton të shtunën në Meksikë, pasi siguroi “pole position”-in e tij të parë me Ferrarin. Një deklaratë që ushqen shpresat për një sezon të ardhshëm plot rivalitet, ku të gjithë ata që do të jenë pas Kimit do të përpiqen t’ia vështirësojnë sa më shumë jetën kampionit të ri të botës.
