Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e sotme qytetin e Elbasanit. Shpërthimi i fuqishëm, i shoqëruar me zjarr në një apartament në një pallat banimi, ka shkaktuar pasoja tragjike, me një viktimë, 10 persona të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale në ndërtesë.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 14:45, në rrethana ende të paqarta, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit H. I., në katin e tretë të një pallati në lagjen “Qemal Stafa”.
Si pasojë e ngjarjes ka humbur jetën 82-vjeçarja Hatixhe Berisha, banuese në të njëjtin pallat. Ndërkohë, 10 banorë të tjerë kanë mbetur të dëmtuar dhe janë transportuar për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Një tjetër shqetësim i madh lidhet me fatin e 69-vjeçarit Hamit Ibra, baba i katër fëmijëve, i cili dyshohet se në momentin e shpërthimit ndodhej në dhomën e tij të gjumit.
Deri më tani nuk ka një informacion të konfirmuar për vendndodhjen dhe gjendjen e tij. Fati i 69-vjeçarit mbetet mister, ndërsa situata kërkon ndërhyrje të specializuar për kontrollin e rrënojave dhe verifikimin nëse ai ndodhet i bllokuar brenda banesës.
Për këtë arsye pritet edhe angazhimi i forcave të specializuara të kërkim-shpëtimit të Forcave të Armatosura, të cilat mund të ndërhyjnë për kontrollin e strukturave të dëmtuara dhe kërkimin e personave të mundshëm nën rrënoja.
Fuqia e shpërthimit ka shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në ndërtesë, duke shembur mure të apartamentit dhe dëmtuar një pjesë të shkallëve të pallatit. Menjëherë pas ngjarjes janë angazhuar strukturat e Policisë, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencave, të cilat kanë ndërhyrë për evakuimin e banorëve dhe menaxhimin e situatës.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për përcaktimin e shkakut të shpërthimit, si dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.
