Tensione të forta janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të mërkure përpara Kryeministrisë, ku protestuesit janë përplasur me efektivët e Policisë së Shtetit.
Situata është tensionuar në momentin kur disa qytetarë kanë dalë përpara furgonit të policisë, duke penguar lëvizjen e tij. Efektivët kanë ndërhyrë për t’i larguar protestuesit, duke i shtyrë ata dhe duke përdorur spraj lotsjellës.
Gjatë përplasjes janë dëgjuar thirrjet “Mos i prek gocat!”, ndërsa protestuesit kanë kundërshtuar ndërhyrjen e forcave të rendit.
Incidenti ka shkaktuar momente kaotike përpara godinës së qeverisë, ku prej disa orësh po zhvillohet protesta e studentëve dhe qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Tensionet vijnë pas shoqërimit nga policia të Edison Likës dhe Dritan Goxhajt, të cilët, sipas informacioneve paraprake, refuzuan të merrnin fletët e gjobave të vendosura ndaj tyre.
