Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar ndaj gjobave të vendosura ndaj protestuesve dhe zërave kritikë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përpiqet t’i heshtë përmes gjobave, kërcënimeve dhe intimidimeve.
Në një deklaratë publike, Shehaj ka treguar gjobën e vendosur ndaj një protestueseje që prej 150 ditësh kërkon dorëheqjen e kryeministrit, si dhe një tjetër gjobë të vendosur nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), lidhur me deklaratat e gazetarit Armand Shkullaku në emisionin Opinion.
Sipas Shehajt, gjoba e AMA-s është vendosur pasi gazetari Armand Shkullaku ka deklaruar në emisionin Opinion se “nëse nuk jep dorëheqjen Edi Rama do merret zvarrë nga protestuesit”.
“Edi Ramës i ka ikur mendja, nuk di më çfarë bën”, deklaroi Shehaj.
Sipas tij, këto masa synojnë të frikësojnë protestuesit, studentët dhe zërat kritikë, por nuk do të arrijnë të ndalin protestat dhe kundërshtimin ndaj qeverisë.
“Mendojnë se me gjoba dhe me intimidime dhe kërcënime mund të ndalin protestën, mund të ndalin zërat kritikë”, deklaroi ai.
Shehaj paralajmëroi se pas largimit të Edi Ramës nga pushteti, vendimet e padrejta ndaj protestuesve dhe studentëve do të amnistohen.
“Kur Edi Rama të mos jetë më në pushtet, çdo vendim i padrejtë kundër protestuesve, kundër studentëve do të amnistohet”, tha kreu i Mundësia.
Në përfundim, Shehaj theksoi se përpjekjet për të frikësuar qytetarët nuk do ta shpëtojnë kryeministrin nga përballja me drejtësinë.
“Edi Rama nuk ka shpëtim, janë tentativa boshe që nuk kanë për ta shpëtuar nga drejtësia”, përfundoi Shehaj.
