Ekspertët nga Ministria e Mbrojtjes vendosën që të pezullojnë operacionin e kërkimin e personit që është raportuar i zhdukur.
Shkak për pezullimin u bë rrezikshmëria që paraqet ndërtesa.
Shpërthimi i fuqishëm në pallatin pesëkatësh në Elbasan ka shkaktuar dëme të rënda në strukturën e ndërtesës. Sipas informacioneve, një person ka humbur jetën, ndërsa një i moshuar rezulton ende i pagjetur.
Një nga banorët e pallatit të shkatërruar nga shpërthimi i fuqishëm në Elbasan rrëfyeu pak më herët momentet dramatike që përjetoi së bashku me familjen e tij, teksa një pjesë e strukturës së ndërtesës u shemb dhe i bllokoi daljen nga banesa.
Mes tronditjes dhe dëshpërimit, ai ka treguar se në momentin e shpërthimit dera e ballkonit e goditi në kokë, ndërsa dëgjoi të birin që kërkonte ndihmë, pa pasur mundësi të shkonte pranë tij.
Sipas banorit, forca e shpërthimit ishte aq e madhe sa një pjesë e soletës u shemb mbi katin ku ndodhej familja, duke bllokuar derën dhe duke e bërë të pamundur daljen nga banesa.
“Më ra dera e ballkonit në kokë. Dëgjova tim bir të bërtiste ‘O ba, të lutem më ndihmo!’ dhe të mos kishe mundësi ta ndihmoje. U hodha nga kati i dytë. Nuk di asgjë çfarë ka ndodhur, sepse të gjithë në atë moment shihnin punën e vet. Vetëm di që dola në ballkon dhe thirra ‘Merrni zjarrfikësit’”, ka rrëfyer ai.
