Publikohet fotoja e Hamit Ibros, 69-vjeçarit që humbi jetën si pasojë e shpërthimit të fuqishëm që tronditi një pallat në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan, mesditën e së mërkurës.
Trupi i pajetë i 69-vjeçarit u gjet rreth orës 00:40, pas disa orësh kërkimesh nga ekipet e Policisë, Forcave të Armatosura, Emergjencave Civile dhe zjarrfikësve. Nga kjo ngjarje e rëndë humbi jetën edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha, ndërsa 10 banorë të tjerë të pallatit mbetën të dëmtuar dhe morën ndihmë mjekësore.
Sipas hetimeve paraprake të Policisë, dyshohet se shpërthimi dhe zjarri u shkaktuan nga prania e një sasie të tepërt gazi në banesën e 69-vjeçarit. Fuqia e shpërthimit shkaktoi dëme të konsiderueshme në pallat. Një pjesë e strukturës së katit të katërt u shemb, duke rënë mbi katin e tretë, ndërsa u dëmtuan edhe muret ndarëse dhe apartamentet përreth. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkakun e tragjedisë.
