Një ditë pas shpërthimit tragjik në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan, ku humbën jetën dy persona dhe u shkaktuan dëme të mëdha në një pallat, kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Mëngjesin e kësaj të enjteje, në vendngjarje kanë mbërritur ekspertë të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, të cilët kanë nisur këqyrjen dhe dokumentimin e provave për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e shpërthimit. Hetimet vijnë pas përfundimit të operacionit të kërkim-shpëtimit dhe nxjerrjes së trupit të pajetë të 69-vjeçarit Hamit Ibra.

Një rol të rëndësishëm në përcaktimin e situatës do të kenë edhe ekspertët e Institutit të Ndërtimit, të cilët pritet të mbërrijnë në zonë për të vlerësuar gjendjen teknike të pallatit.

Ata do të analizojnë dëmtimet në strukturën mbajtëse të godinës, qëndrueshmërinë e saj dhe rrezikun që mund të paraqesë për banorët. Nga rezultatet e ekspertizës do të përcaktohen edhe ndërhyrjet e nevojshme dhe nëse objekti mund të jetë sërish i banueshëm.

Ndërkohë, Bashkia e Elbasanit ka bërë të ditur se do të marrë masa për strehimin e familjeve të mbetura pa banesa si pasojë e shpërthimit. Për momentin, hetuesit janë të përqendruar në mbledhjen e provave dhe përcaktimin e shkakut të shpërthimit, ndërsa banorët presin përgjigjet e ekspertizës për të mësuar nëse do të mund të rikthehen në banesat e tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb