Panairi i 29-të i Librit në Tiranë, i planifikuar fillimisht të mbahej në datat 11-15 nëntor, është shtyrë për periudhën 24-28 dhjetor për shkak të protestave, që përkon me ditët e Krishtlindjes. Vendimi ka sjellë reagimin e botuesit Frano Kulli, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Botuesve, i cili e konsideron të papërshtatshëm zhvillimin e panairit në këtë periudhë.

Në një reagim të tij, Kulli shprehet se datat në fund të janarit do të ishin një alternativë më e përshtatshme. Ai rendit disa arsye kundër vendimit, duke theksuar se gjatë festave fëmijët dhe të rinjtë kanë angazhime të tjera, ndërsa edhe botuesit nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi festojnë Krishtlindjet.

Sipas tij, Panairi i Librit duhet të ketë festën e vet dhe të mos mbivendoset me një festë fetare si Krishtlindja. Kulli ngre gjithashtu shqetësimin për stafet e shtëpive botuese, të cilat, nëse do të punojnë gjatë këtyre ditëve, duhet të paguhen si për ditë feste.

Por botuesi e shpreh kundërshtimin edhe në planin personal, duke deklaruar se si katolik ndihet i fyer nga vendimi i Kryesisë së Shoqatës së Botuesve.

“Si katolik ndjehem i fyer në palcë, që Kryesia e Shoqatës së Botuesve ku unë bëj pjesë gjen rast të na e përdhosë festën e Krishtlindjeve, duke na e kthyer në ditë pune të detyrueshme”, shkruan Kulli. Në fund të reagimit, ai e cilëson të pazakontë vendimin për ta zhvilluar panairin pikërisht në ditët e Krishtlindjes, duke kujtuar se edhe në rrethana të vështira, si në burgun e Burrelit dikur, Krishtlindjet festoheshin fshehurazi. “Libri meriton festën e vet, siç është Panairi një festë e Librit dhe jo t’i mbivendoset KRISHTLINDJES”, përfundon reagimi i Frano Kullit.

REAGIMI
Lidhur me përcaktimin arbitrar të zhvillimit të Panairit të 29 të Librit në Tiranë në Ditët e Krishtlindjes, (24-28 dhjetor) reagimi im, si anëtar i Shoqatës së Botuesve dhe i Kryesisë saj ka qenë ky:
Mendoj se datat e fundjanarit mund të ishin të përshtatshme.
Më duket absurditet i madh ngulmimi në ditët e Krishtlindjeve. Për arsye se:
1) Fëmijët dhe të rinjtë s’kanë si të jenë në shumicë te panairi se kanë gjëra të tjera më të bukura për të bërë për festa.
2) Edhe në Kosovë, Maqedoni dhe Mali të Zi, kanë Krishtlindje dhe, besoj se krishtlindjet kanë edhe për ata më përparësi se Panairi i Librit të Tiranës. Libri meriton festen e vet, siç është Panairi një festë e Librit dhe jo t’i mbivendoset KRISHTLINDJES…
3) Stafet e secilës shtëpi botuese, më së paku duhen paguar si për ditë feste (nëse do të pranojnë të punojnë ato ditë)
Edhe një ndjesi personale më lejoni ta shfaq, të dashur kolegë. Si katolik ndjehem i fyer në palcë, që Kryesia e Shoqatës së Botuesve ku unë bëj pjesë gjen rast të na e përdhosë festën e Krishtlindjeve, duke na e kthyer në ditë pune të detyrueshme. (Them të detyrueshme se për botuesit shkrimtarët dhe gjithë ata që merren me librin ditët e Panairit janë ditëpunët më të rëndësishme të vitit)
Nuk besoj se ka shembëtyrë të ngjashme kund tjetër, që Krishtlindjet të kthehen në ditë pune.Edhe në burgun e Burrelit dikur, tinzash i kanë festuar Krishtlindjet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: