Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) ka nisur një hetim për dyshime mbi keqpërdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian, të destinuara për rinovimin dhe përmirësimin e linjës hekurudhore me shpejtësi të lartë Madrid-Sevilje në Spanjë. Hetimi vjen pas dy aksidenteve të rënda hekurudhore, që sipas raportimeve shkaktuan gjithsej 115 viktima.
Sipas njoftimit të institucionit, hetimet lidhen me dyshime për mashtrim në përdorimin e fondeve europiane që ishin akorduar për përmirësimin e sistemeve të sigurisë, sinjalizimit dhe komunikimit në këtë linjë hekurudhore.
Në kuadër të hetimit, veprime hetimore po kryhen ndaj Adif, kompanisë publike përgjegjëse për administrimin e infrastrukturës hekurudhore në Spanjë, si dhe ndaj institucioneve të tjera publike.
Zyra e Prokurorit Publik Evropian kujton se një hetim i ngjashëm për të njëjtën linjë hekurudhore ishte nisur edhe pas një aksidenti tjetër në Andaluzi, ku humbën jetën 46 persona.
Ndërkohë, aksidenti më i fundit, i ndodhur më 28 tetor pranë Urdës, rreth 150 kilometra në jug të Madridit, përfshiu dy trena me shpejtësi të lartë dhe shkaktoi vdekjen e 69 personave.
Ngjarjet kanë vënë në qendër të vëmendjes sigurinë e infrastrukturës hekurudhore dhe mënyrën se si janë përdorur fondet e destinuara për modernizimin e saj.
Të martën, ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, i cili drejtonte ministrinë në kohën e dy aksidenteve, paraqiti dorëheqjen e tij.
Hetimi i EPPO-së pritet të hedhë dritë mbi mënyrën se si janë administruar fondet europiane dhe nëse ka pasur shkelje apo mashtrim në realizimin e investimeve për sigurinë e linjës hekurudhore.
