Mbi 3 mijë migrantë kanë mbërritur në Ishujt Kanarie të Spanjës brenda pak ditësh, duke vënë nën presion shërbimet e shpëtimit dhe infrastrukturën lokale. Situata është përkeqësuar gjatë natës mes 5 dhe 6 nëntorit, kur më shumë se 1 mijë persona u shpëtuan në det dhe u transportuan drejt ishujve nga ekipet spanjolle.

Shumica e migrantëve vijnë nga vendet e Afrikës Perëndimore dhe përpiqen të hyjnë në Spanjë në mënyrë të parregullt, duke përshkuar Oqeanin Atlantik me varka druri të mbipopulluara.

Situata paraqitet veçanërisht e vështirë në ishullin El Hierro, ku banorët shprehin shqetësimin se spitalet, qendrat e strehimit dhe infrastruktura po përballen me mbingarkesë për shkak të numrit të lartë të të ardhurve.

Presidenti i Ishujve Kanarie, Fernando Clavijo, e ka cilësuar situatën si “absolutisht të paqëndrueshme”, duke ngritur shqetësimin për kapacitetet e autoriteteve lokale për të përballuar fluksin e migrantëve.

Ndërkohë, ekipet spanjolle të shpëtimit vijojnë operacionet në Atlantik, ku po identifikojnë varka të tjera dhe po transportojnë personat në bord drejt porteve të ishujve. Sipas raportimeve të mediave, një person ka humbur jetën gjatë një prej operacioneve të fundit të shpëtimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb