Dy persona kanë humbur jetën pasi një avion i vogël është rrëzuar në një autostradë pranë qytetit të Magdeburgut, në lindje të Gjermanisë, mesditën e së premtes.
Sipas policisë, avioni ka marrë flakë tërësisht në momentin e përplasjes, ndërsa dy personat që ndodheshin në bord janë gjetur të pajetë nga ekipet e emergjencës. Fatmirësisht, në aksident nuk janë përfshirë automjete të tjera.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë se avioni, me ngjyrë të kuqe dhe të bardhë, është shkatërruar. Mbetjet e tij janë shpërndarë në rrugë dhe në një pjesë të terrenit anës autostradës, ndërsa zjarrfikësit kanë ndërhyrë për të shuar flakët.
Sipas të dhënave të portalit të gjurmimit të fluturimeve Flightradar, bëhet fjalë për një avion të tipit Aerostyle Breezer, një mjet fluturues me dy vende. Avioni raportohet se ishte i regjistruar në një klub aviacioni në qytetin Kropp, në veri të Gjermanisë, nga ku ishte ngritur në fluturim në orën 12:33.
Shkaqet e rrëzimit mbeten ende të paqarta. Policia dhe shërbimet e emergjencës ndodhen në vendngjarje, ndërsa autostrada vijon të jetë e bllokuar për qarkullimin.
