Të paktën dy persona kanë mbetur të plagosur nga një sulm i ri me raketa balistike të ndërmarrë nga forcat ruse ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev, të shtunën në mbrëmje, më 7 nëntor. Sulmi shkaktoi dëme në disa ndërtesa banimi, një çerdhe dhe objekte të tjera, ndërsa autoritetet u kërkuan banorëve të qëndronin në vende të sigurta për shkak të rrezikut të goditjeve të tjera.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi fillimisht për shpërthime në periferi të kryeqytetit, duke bërë të ditur se Rusia po godiste infrastrukturën me raketa balistike.
“Shpërthime në periferi të Kievit. Armiku po godet infrastrukturën me raketa balistike”, shkroi ai në një mesazh në Telegram.
Rreth gjysmë ore më vonë, Klitschko bëri të ditur se mbetjet e raketave kishin rënë mbi një ndërtesë pesëkatëshe, ndërsa fasada e një pallati tjetër ishte dëmtuar. Komanda ushtarake e Kievit konfirmoi se të paktën dy persona ishin plagosur, duke sqaruar se bëhej fjalë për një bilanc paraprak.
Sipas autoriteteve, dëme u raportuan edhe në një ndërtesë ku ndodhet një çerdhe. Ndërkohë, në një objekt jo-rezidencial në lagjen Solomiansky shpërtheu një zjarr, ndërsa vala goditëse theu xhamat e një tjetër ndërtese pesëkatëshe.
Shërbimet e emergjencës vijuan të monitoronin situatën, ndërsa banorëve iu bë thirrje të mos largoheshin nga strehimet, pasi nuk përjashtohej mundësia e sulmeve të tjera me raketa dhe dronë.
Vetëm disa orë përpara sulmit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte paralajmëruar se Rusia po përgatiste goditje të reja ndaj infrastrukturës kritike të vendit.
Në fjalimin e tij të mbrëmjes, ai tha se kishte informacione për planet e Moskës për të sulmuar objektet energjetike, urat dhe infrastrukturën tjetër. Autoritetet ukrainase kanë mbajtur në gatishmëri strukturat e mbrojtjes, veçanërisht përballë rrezikut të sulmeve ndaj sektorit energjetik, ndërsa afrohet dimri.
Goditja ndaj Kievit vjen në prag të rifillimit të negociatave mes Ukrainës dhe Rusisë, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara. Bisedimet janë planifikuar të zhvillohen më 10 dhe 11 nëntor në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ky do të jetë raundi i parë i këtij formati që prej muajit shkurt, kur negociatat e mëparshme përfunduan pa rezultat.
Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur ditët e fundit optimizëm për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje që do t’i jepte fund luftës, e cila po i afrohet pesë viteve. Megjithatë, sulmet dhe operacionet ushtarake vijojnë, ndërsa perspektiva e një marrëveshjeje mbetet e pasigurt.
