Georgina Bailey, mbesa e aktorit britanik Andrew Sachs, ka rrëfyer pasojat që pati në jetën e saj skandali i vitit 2008 me komedianin Russell Brand, i cili së fundmi u shpall fajtor për përdhunim dhe sulme seksuale ndaj katër grave.
Në një intervistë për Daily Mail, 41-vjeçarja tregoi se marrëdhënia me Brand kishte qenë konsensuale, por telefonata e tij dhe e prezantuesit Jonathan Ross në emisionin e BBC-së, ku zbuluan publikisht detaje intime të lidhjes së tyre, shkaktoi një skandal të madh. Ajo thotë se si pasojë nuk komunikoi për tetë vite me gjyshërit, Andrew Sachs dhe bashkëshorten e tij.
Bailey e cilësoi Brand si “të varur nga seksi” dhe “rëndë të sëmurë”, duke theksuar se dënimi i tij është i drejtë. Ajo shtoi se, megjithëse nuk ka përjetuar abuzim prej tij, dëshmitë e grave gjatë procesit gjyqësor ishin bindëse dhe se ai duhet të pranojë përgjegjësinë për veprimet e tij. Ajo rrëfeu gjithashtu se pas skandalit u përball me probleme të rënda me alkoolin dhe drogën. Brand e ndihmoi financiarisht për rehabilitimin, duke paguar dhjetëra mijëra paund për trajtimin e saj. Sot, Bailey thotë se ka gjashtë vite pa konsumuar alkool apo drogë.
Russell Brand u shpall fajtor më 5 nëntor për një përdhunim dhe tri sulme seksuale ndaj katër grave, ndërsa për disa akuza të tjera u shpall i pafajshëm. Vendimi për dënimin e tij pritet të jepet më 9 nëntor.
