Daveigh Chase, aktorja që u bë e famshme që në fëmijëri me rolet në filmat “Donnie Darko” dhe “The Ring”, pati një fund tragjik, duke përfunduar e pastrehë në rrugët e Los Angeles-it, përpara se të ndërronte jetë në moshën vetëm 35-vjeçare nga ndërlikimet e AIDS-it. Një artikull i publikuar nga The Times rikthen historinë e saj, nga fama e hershme në Hollywood deri te vitet e fundit të jetës, të shoqëruara nga vështirësitë personale dhe varësia nga droga.
Chase u bë e njohur në moshën 10-vjeçare me filmin “Donnie Darko”, ndërsa një vit më vonë interpretoi në ribërjen amerikane të “The Ring”. Në moshën 12-vjeçare i dha zërin personazhit kryesor në filmin e animuar të Disney-t “Lilo & Stitch”. Ajo vijoi karrierën edhe si e rritur, duke u shfaqur ndër të tjera në serialin e HBO-së “Big Love”, por rreth moshës 25-vjeçare u largua gradualisht nga vëmendja publike.
Në vitet e fundit, një video e publikuar në rrjetet sociale e shfaqte aktoren të pastrehë, duke fjetur nën një batanije në një rrugicë të Los Angeles-it. The Times e përshkruan me një koment të dhimbshëm: mes mijëra njerëzve që jetonin në rrugë, ajo mund të ketë qenë e vetmja me një faqe në Wikipedia.
Miqet e saj të fëmijërisë e kujtojnë si një vajzë jashtëzakonisht të talentuar, të zgjuar dhe pa xhelozi ndaj të tjerëve. Një prej tyre, Heather Klein, e cila e takoi në vitin 2017, kur Chase po përballej me varësinë nga droga, thotë se ajo vlente shumë më tepër sesa fama si aktore e Disney-t apo problemet që shoqëruan vitet e fundit të jetës së saj.
