Studenti i Shkencave Politike, Klevis Tako, pjesëmarrës në protestën kombëtare që prej ditës së parë, deklaroi në emisionin “News24 Fundjavë” se protesta e së shtunës tregoi se qytetarët nuk janë të trembur nga masat e ndërmarra nga qeveria për kufizimin e tubimeve dhe të së drejtës për protestë.

Duke komentuar pjesëmarrjen në protestë, Tako e cilësoi ditën e djeshme pozitive, duke theksuar se qytetarët dolën masivisht në shesh, pavarësisht akteve normative që, sipas tij, synojnë të kufizojnë lirinë kushtetuese.

“Po, në përgjithësi besoj që ka qenë një ditë pozitive. Dhe tregoi qartazi që pavarësisht se qeveria ka ndërmarrë masa nëpërmjet akteve normative që të limitojë lirinë e tubimeve dhe lirinë e protestës, pavarësisht këtyre akteve normative, qytetarët e treguan që nuk tremben nga ato ligjet e bëra qëllimisht për të limituar lirinë kushtetuese dhe dolën masivisht në shesh dhe i treguan që ne nuk trembemi”, u shpreh Tako.

Studenti pranoi se këto masa mund të kenë pasur ndikimin e tyre, veçanërisht te gjimnazistët që iu bashkuan protestës në ditët e para, duke krijuar pikëpyetje dhe pasiguri.

“Megjithatë ka dhënë impaktin e vet. Gjithsesi, si do që të jetë, një lloj impakti dhe përshtypje ose pikëpyetje ndërmjet sidomos gjimnazistëve që dolën ditët e para e ka dhënë”, tha ai.

Tako përmendi edhe lodhjen si një faktor që mund të shpjegojë luhatjet e pjesëmarrjes nga një ditë në tjetrën, por theksoi se pakënaqësia qytetare vazhdon të jetë e pranishme.

“Lodhja mund të ketë bërë të vetën që ka ato luhatjet mes ditëve. Por sërish ajo urrejtja ka ngelur aty dhe për sa kohë ne jo vetëm ne, po e shikon dhe kudo, jo vetëm gjatë protestës, po në shtëpi, në lokale, në shkolla, kudo diskutohet për këtë çështje dhe të gjithë janë të pakënaqur”, u shpreh studenti.

Sipas tij, pakënaqësi ka si te qytetarët që kanë mbështetur prej vitesh Partinë Socialiste, ashtu edhe te ata që kanë qenë tradicionalisht mbështetës të Partisë Demokratike.

“Si ata të cilët kanë qenë socialistë me vite dhe ata që kanë qenë demokratë me vite janë të pakënaqur ndaj partisë së tyre”, deklaroi Tako në “News24 Fundjavë”.

Ai bëri të ditur gjithashtu se studentët e kanë ankimuar në Gjykatën Kushtetuese paketën e masave të ndërmarra nga qeveria, të cilat, sipas tyre, kufizojnë lirinë e tubimit dhe të protestës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb