Të paktën 34 persona kanë humbur jetën pas mbytjes së një varke të vogël që transportonte emigrantë dhe refugjatë në brigjet veriperëndimore të Senegalit. Bilanci tragjik është bërë i ditur nga Agjencia Senegaleze e Shtypit (APS), ndërsa autoritetet konfirmojnë se deri më tani është shpëtuar vetëm një person.
Ministria e Brendshme e Senegalit njoftoi të dielën se varka është mbytur në det, duke shkaktuar një tragjedi të rëndë. Pas ngjarjes, ekipet e shpëtimit janë angazhuar në kërkimet për gjetjen e personave të tjerë që mund të kenë mbijetuar, ndërsa ende nuk ka një informacion të plotë mbi numrin e emigrantëve dhe refugjatëve që ndodheshin në bord.
Fillimisht, autoritetet kishin raportuar për të paktën 21 viktima, por të dhënat e fundit të publikuara nga Agjencia Senegaleze e Shtypit e kanë çuar bilancin në 34 persona të vdekur.
Ngjarja rikthen në vëmendje rrezikun e madh që përballen emigrantët që tentojnë të largohen nga Afrika Perëndimore drejt Evropës përmes rrugës së Atlantikut, një nga itineraret më vdekjeprurëse të migracionit në botë. Shumë prej tyre nisen me mjete të vogla lundruese, shpesh të mbipopulluara dhe të papërshtatshme për udhëtime të gjata detare.
Sipas të dhënave të organizatës spanjolle për të drejtat e njeriut Ualking Borders, të paktën 635 emigrantë kanë humbur jetën gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026 në përpjekje për të arritur në Ishujt Kanarie të Spanjës përmes Atlantikut.
Edhe muajt e fundit janë shënuar tragjedi të ngjashme në brigjet e Afrikës Perëndimore. Në korrik, Agjencia e OKB-së për Refugjatët raportoi se afro 150 persona kishin humbur jetën ose rezultonin të zhdukur brenda një jave, pasi disa varka u mbytën në brigjet e Mauritanisë. Rreth 400 persona të tjerë u shpëtuan nga operacionet e kërkim-shpëtimit.
Një tjetër tragjedi u regjistrua në natën e ndërrimit të viteve 2025, kur një varkë me më shumë se 200 emigrantë u përmbys në brigjet e Gambias. Si pasojë e mbytjes, u gjetën 44 trupa të pajetë.
