Gjermania pritet të ketë për herë të parë në histori një grua në postin e presidentes së Republikës. Konservatorët e kancelarit Friedrich Merz dhe Partia Socialdemokrate (SPD) kanë rënë dakord të propozojnë politikanen bavareze Ilse Aigner si pasuese të presidentit aktual Frank-Ualter Steinmeier.

Lajmi është bërë i ditur nga dy zyrtarë të lartë të kampit konservator, të cilët kanë konfirmuar për mediat gjermane se kandidatura e Aigner do të shpallet zyrtarisht të hënën. Ndërkohë, Merz pritet të informojë gjatë së dielës drejtuesit e lartë të CDU-së për vendimin që ajo të jetë kandidatja e bllokut konservator.

Ilse Aigner, e cila është pjesë e Unionit Kristian-Social (CSU), aktualisht mban postin e kryetares së Parlamentit të Bavarisë. Ajo ka shërbyer gjithashtu si ministre e Bujqësisë në qeverinë e ish-kancelares Angela Merkel, nga viti 2008 deri në vitin 2013.

Mandati i dytë pesëvjeçar i presidentit aktual Frank-Ualter Steinmeier përfundon në mars të vitit 2027, ndërsa ai nuk mund të rizgjidhet. Pasardhësi i tij do të zgjidhet më 30 janar 2027.

Edhe pse posti i presidentit në Gjermani ka kryesisht funksione ceremoniale dhe drejtimin e politikave qeveritare e përcakton kancelari, zgjedhja e Aigner do të shënonte një moment historik për vendin.

Kandidatura e saj është mbështetur edhe nga figura të rëndësishme të SPD-së dhe të të Gjelbërve. Kryeministri i landit të Brandenburgut, socialdemokrati Dietmar Uoidke, e cilësoi Aigner si kandidaten ideale, duke vlerësuar njohuritë e saj të thella mbi politikën gjermane.

Propozimi i saj është mbështetur më herët edhe nga kryeministri i Bavarisë, Markus Soder. CSU-ja, pavarësisht dominimit të gjatë në politikën bavareze, nuk ka pasur deri më tani asnjë kancelar apo president të Gjermanisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb