Shtohet numri i qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës, pasi kanë shfaqur simptoma të të vjellave dhe diarresë. Rastet janë konstatuar kryesisht në lagjet “28 Nëntori” dhe “29 Nëntori”, ku dhjetëra banorë janë paraqitur në spital për të marrë trajtim.

Sipas të dhënave, rreth 90 pacientë janë paraqitur dhe janë trajtuar gjatë javës në Spitalin Rajonal të Vlorës. Vetëm gjatë fundjavës janë regjistruar 55 raste, ku 30 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore ditën e shtunë dhe 25 të tjerë ditën e diel.

Pacientët kanë shfaqur kryesisht simptoma të të vjellave dhe diarresë. Pas marrjes së serumit dhe trajtimit mjekësor, ata janë larguar drejt banesave, pa pasur nevojë për shtrim në spital.

Dyshimet për shkakun e kësaj situate janë përqendruar te cilësia e ujit të pijshëm. Problematika është shfaqur pas një ndërhyrjeje riparimi në rrjetin e ujësjellësit dhe rikthimit të furnizimit me ujë në zonat e prekura.

Pas evidentimit të rasteve, Ujësjellësi ka ndërhyrë në këto zona. Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar se problemet shëndetësore të qytetarëve kanë ardhur si pasojë e konsumimit të ujit të pijshëm. Shkaku i saktë i rasteve mbetet ende nën verifikim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb